Partia Demokratike ka pafitur në SPAK ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, drejtorin e Përgjithshëm të policisë, Ardi veliu dhe drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, që i akuzon për manipulim e regjistrit të gjendjes civile me qëllim manipulimin e listave zgjedhore.

“Çështja e ndryshimit të vendbanimit të qytetarëve, pa kërkesën e tyre me qëllim manipulimin e listave të votuesve duhet të hetohet nga SPAK. Partia Demokratike bën pergjegjës direkt Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile Bledar Doracaj, për të cilët dorëzoi kallëzim penal në SPAK për 3 vepra penale: fallsifikim i dokumenteve, shpërdorim i detyrës dhe shkelje e të drejtës së zgjedhjes, thuhet në deklaratën e PD.

Në padinë e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion i kërkohet të sekuestrojë të dhënat kompjuterike, siç është Rregjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për të vërtetuar, sipas opozitës, ndërhyrjet e paligjshme në sistem me qëllim ndryshimin e adresës ëë vendbanimit dhe për rrjedhojë të pengojë qyyetarët të votojnë përmes ndryshimit të vendvotimit.

“Rastet e denoncuara nga shtetas të ndryshëm për një periudhë rreth 2 javore mbi ndryshimet e vendbanimeve, pa dijeninë e tyre, tregojnë për tentativat për të manipuluar listat e zgjedhësve shqiptarë nga personat përgjegjës, Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile”, thuhet në padi.

PD thotë se është shkelur ligji për gjendjen civile dhe Kodi Zgjedhor dhe vë në dukje se SPAK duheh ta kishte nisur vetë këtë hetim.

“Organet ligjzbatuese duhet të veprojnë pa asnjë hezitim të mëtejshëm dhe me profesionalizëm të lartë të diktuar nga interesi i lartë që është cënuar dhe preket në këtë rast, duke qenë se jemi përpara akteve të rrezikshme që do të cenonin transparencën e procesit zgjedhor dhe lirinë e zgjedhjeve, si parime bazë të demokracisë”, thuhet më tej në padinë e PD.