Kancelari gjerman Olaf Scholz i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin të dakordësohet sa me shpejt mbi një armëpushim në Ukrainë, gjatë një telefonate prej 75 minutash ditën e premte. Sipas një zëdhënësi të qeverisë, kancelari kishte kundërshtuar deklaratat e Putinit se nazistët po udhëhiqnin Ukrainën.

Ndërsa Kremlini bëri të ditur se Putin kishte përsëritur qëndrimin se do t’i kundërvihej ideologjisë naziste në shtetin fqinj dhe se vendi duhet të demilitarizohej.

Sipas informacioneve nga Moska, presidenti rus tha gjithashtu se Kievi do të bllokonte përpjekjet për paqen, dhe do të përdorte metoda terroriste. Teksa foli për telefonatën gjatë një tubimi elektoral, numri një i Berlinit pohoi se Rusia “ende nuk e kuptonte që situata nuk mund të zgjidhej në këtë mënyrë”.

“Rusia nuk po e kupton se gjerat nuk mund të zgjidhen duke marre me force një pjesë nga Ukraina. Ne nuk do ta pranojmë një paqe të diktuar, dhe as ukrainasit”, deklaroi Scholz. Kancelari tha gjithashtu se Gjermania do të jetë në gjendje të heqë dorë nga nafta ruse brenda fundit të viti.