Olaf Scholz është zgjedhur kancelari i nëntë i Republikës Federale të Gjermanisë nga Bundestagu me votat e SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së. Kjo i jep fund epokës 16-vjeçare të kancelares Angela Merkel.

Kancelari i ri gjerman Olaf Scholz nga Partia Socialdemokrate, SPD u zgjodh në Bundestag nga shumica e deputetëve. Kryetarja e Bundestagut, Bärbel Bas (SPD), bëri të ditur se Scholz ka fituar 395 vota, ndërsa 303 deputetë ishin kundër. Pati edhe gjashtë abstenime. Tre vota ishin të pavlefshme. Për t’u zgjedhur në këtë post atij i duheshin 369 vota. Për kancelarin e ri kanë votuar partitë SPD, të Gjelbrit dhe FDP, të cilët së bashku kanë 416 vota. Nga kjo shihet se ai nuk i ka marrë të gjitha votat e partive në koalicionin e ri në pushtet. Bundestagu gjerman ka aktualisht 736 deputetë.

Kancelari i nëntë

63-vjeçari Olaf Scholz është kancelari i katërt i SPD-së pas Willy Brandt, Helmut Schmidt dhe Gerhard Schröderit. CDU deri tani ka pasur katër kancelarë Konrad Adenauer, Ludwig Erhard, Kurt Georg Kiesinger dhe Helmut Kohl. Ndërsa sot mori fund epoka e kancelares Angela Merkel e cila në këtë post ishte 16 vite me radhë.

Edhe pse vijnë nga parti me prirje të ndryshme, Scholz dhe Merkel kanë një stil të ngjashëm politik.

Angela Merkel ndoqi votimin si e ftuar në sallën e Bundestagut. Pas 16 vitesh dhe 16 ditësh në pushtet, ajo nuk arriti të thyente rekordin e Helmut Kohol si kancelari që ka qëndruar më gjatë në pushtet me vetëm 10 ditë.