Paraditen e sotme në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca e tretë, për shqyrtimin e çështjes së shembjes së Teatrit Kombëtar.

Një ditë më parë Gjykata zgjeroi objektin e hetimit, mbi vendimin e Këshillit Bashkiak, ndërsa sot pritet që të vendoset dhe për kërkesën tjetër të presidencës.

Këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, foli përpara togave të zeza për të gjitha parregullsitë që sipas tij, qeveria dhe bashkia kanë kryer për t’i vënë vulën shembjes së Teatrit.

Ai theksoi se Kuvendi nuk i rivlerësoi konstatimet e Presidentit Ilir Meta dhe ndryshoi procedurat që ligji të dukej si i ri.

“Çështja ka nisur që në 2018 mars, që përkon dhe me daljen jashtë funskionimit të Kushtetueses. Në atë kohë u hodh ideja e një ligji special, të një zone në qendër të Tiranës. Shumë shpejt, në 26 qershor 2019, ligji special për ndërtimin e Teatrit Kombëtar dhe zonës aty pranë. Presidenti e vlerësoi me seriozitet, jo vetëm ligjim special, por edhe qëndrimet publike të shoqërisë civile, ekspertëve dhe aktorëve pro dhe kundër, si dhe ktheu me dekret ligjin.

Kuvendi duhet të merrte kohën e duhur deri në funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi mori dekretin e Presidentit dhe e vendosi parimin e tij. Titulli i ligjit ndryshoi, përmbajtja e procedura dhe e çoi te Presidenti si një ligj të ri.

Rezultoi se Kuvendi, nuk kishte rivlerësuar konstatimet e Presidentit. Përpjekja e vetme ishte të hiqte emrin e kompanisë propozuese dhe atë të zëvendësonte me paragrafë që çonin po te e njëjta kompani.”- tha Dervishaj.

Po ashtu këshilltari i Presidencës ka theksuar se Këshilli Bashkiak nuk duhej të vendoste pro prishjes së Teatrit, të paktën derisa të shprehej Gjykata Kushtetuese.

Presidenca kërkon pezullimin e të gjitha punimeve mbi truallin ku ishte i vendosur Teatri Kombëtar.