Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 3996,5m2 tokë tek Uji i Ftohtë me vlerë 1.2 milionë euro, e cila e ishte përvetësuar me dokumente të falsifikuara.

Kjo pasuri është marrë me anë të dokumenteve të falsifikuara nga A. D.

Denoncimi ndaj tij është bërë në 13 dhjetor të 2020 nga F.M., një nga bashkëpronarët e pasurisë truall.

Pas këtij denoncimi, u konstatua se një pjesë e pasurisë së tij që ai kishte të regjistruar, i ishte njohur në pronësi të A.D. dhe trashëgimtarëve të tjerë.

Pasuria në fjalë ndodhet pranë hotel “New York”, në afërsi të zonës turistike ku po ndërtohet pjesa e dytë e projektit “Lungo Mare” në qytetin e Vlorës.

Njoftimi i Prokurorisë:

Në datë 23/12/2020, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka regjistruar kallzimin penal të shtetasit F.M. Sipas akteve rezulton se kallzuesi është një nga bashkëpronarët e pasurisë truall, me sipërfaqe 300m2 të ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë” Vlorë.

Nga verifikimet e kryera nga ana e kallzuesit, është konstatuar se një pjesë e pasurisë së tij që ai kishte të regjistruar, i ishte njohur në pronësi personave të tjerë, të cilët e kishin fituar atë nëpërmjet një procesi gjyqësor. Pasuria në fjalë ndodhet pranë hotel “New York”, në afërsi të zonës turistike ku po ndërtohet pjesa e dytë e projektit “Lungo Mare” në qytetin e Vlorës.

Rezulton se dokumenti i origjinës mbi bazën e të cilit personat e kallëzuar kanë fituar pronësinë mbi pasurinë e mësipërme, është “nota e transkriptimit” e datës 04/04/1942, në favor të R. D., kundër zyrës së thesarit të shtetit, ku objekt i saj është blerja prej tij e një sipërfaqe trualli prej 5 vreten, kundrejt vlerës 1200 franga ari, regjistruar në radhorin me nr. 232/4, vol. 12, neni 104, faqe 106. Nga verifikimet e kryera nga ana e kallzuesit pranë institucioneve të ndryshme si ASHK Vlorë, ka rezultuar se dokumenti i mësipërm nuk ekziston, por sipas numrit të radhorit ekziston vetëm 107 datë 14/04/1942 dhe neni 108 datë 20/05/1942.

Kallzuesi ka kërkuar fillimin e ndjekjes penale me pretendimin se dokumenti i mësipërm, mund të ishte falsifikuar nga ana e personave që kishin përfituar pasurinë e mësipërme.

Nga hetimet e kryera pas regjistrimit të këtij procedimi penal, nga analiza e të dhënave të administruara për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal; administrimi i dokumentacionit përkatës; dëshmive që lidhen me faktin e hetuar; si dhe konkluzionet e aktit të ekspertimit teknik-grafik të kryer gjatë hetimeve, duke i vlerësuar ato në harmoni dhe unitet me njëra tjetrën, nga ana jonë si organ procedues, arrihet në konkluzionin se në rastin konkret ndodhemi përpara elementëve të veprës penale të “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, vepra penale këto të parashikuara nga neni 186/1 dhe 287 të Kodit Penal.

Rezulton e provuar, se trashëgimtarët e shtetasit G.D., konkretisht shtetasi A.D., ka falsifikuar dokumentin “NOTË TRANSKRIPTIMI” e datës 04.04.1942, në favor të R. D., kundër zyrës së thesarit të shtetit, përpiluar nga noter A. A.”, dokument i cili sipas aktit të ekspertimit tekniko-grafik me nr.12299 datë 07/10/2022 të kryer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, rezultoi tërësisht i falsifikuar.

Rezultoi e provuar se dokumenti i mësipërm i falsifikuar, është përdorur në proceset administrative dhe gjyqësore, konkretisht pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave Tiranë (2013); Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë (2016); Gjykatës së Apelit Vlorë (2018) dhe ka qënë dokumenti bazë dhe kryesor që ka shërbyer për njohjen dhe kthimin e pronës dhe që ka diktuar vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me pasurinë objekt gjykimi, me sipërfaqe prej 6480m2, nga të cilat 3996m2 ka rezultuar e lirë, ndërkohë që pjesa tjetër ka rezultuar e zënë me ndërtime.

Krahas falsifikimit të këtij dokumenti, rezultoi e provuar se pas vendimeve gjyqësore që kanë vendosur njohjen dhe kthimin e pronës, pasuria është regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme pranë ASHK Vlorë, me nr.43/189/1 pasurie, zk.8602, vol.95, faqe 247, me sipërfaqe prej 3996,5m2.

Më tej mbi këtë pasuri janë kryer veprime juridike me qëllim fshehjen/mbulimin e natyrës së paligjshme të pasurisë së përfituar me anë të dokumentave të falsifikuara

Në funksion të këtij procedimi penal, është kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, lidhur me pasurinë e mësipërme, e cila është regjistruar pranë ASHK Vlorë mbi bazën e përdorimit të dokumentit të falsifikuar.

Me vendimin me nr.478 akti datë 03/11/2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka pranuar kërkesën e paraqitur nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, duke vendosur masën e sigurimit pasuror të sekuestros preventive për pasurinë me nr.43/189/1 pasurie, zk.8602, vol.95, faqe 247, me sipërfaqe prej 3996,5m2, ndodhur në lagjen Uji i Ftohtë, Vlorë.

Vlera e pasurisë së sekuestruar sipas përllogaritjeve bazuar mbi çmimet e tregut, kap shifrën prej 1.200.000 euro.