Autoritetet doganore të Portit të Durrësit kanë sekuestruar mbi 10 kg kokainë në dy kontejnerë të ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori.

Kontejnerët ishin për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, ndërsa kokaina ishte fshehur në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontejnerëve.

Operacioni “Rada” kishte nisur 3 muaj më parë. Kjo është hera e gjashtë që sekuestrohet kokainë nga kjo kompani. Sa herë sjell ngarkesë të deklaruar si fruta, të gjitha herët rezultojnë të bashkëshoqëruara me kokainë.

Njoftimi i Policisë

Në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit është gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë, në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme.

Në vijim të operacionit “Rada”, mesditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në dy nga kontejnerët e ngarkuar me banane, që kishin ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në pjesën fundore, te kapakët e motorëve frigoriferikë të dy kontenierëve u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej 10 kilogramë e 185 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit dhe Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit vijojnë veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.