Shtetet e Bashkuara njoftojnë se iu është revokuar viza më shumë se 1000 studentëve dhe kërkuesve kinezë, të cilët vlerësohet se mund të jenë një rrezik për sigurinë.

Ky vendim i administratës amerikane vjen pas një deklarate të presidentit Trump, në muajin maj, që shënjestronte shtetasit kinezë si të lidhur me ushtrinë e vendit të tyre. Madje, kreu i Shtëpisë së Bardhë, shkoi dhe më tej duke thënë se disa prej tyre kanë vjedhur të dhëna dhe pronësi intelektuale.

Departamenti i Shtetit ende nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për këtë vendim dhe Pekini Zyrtar nuk ka bërë një reagim. Aktualisht në SHBA ndjekin studimet në universitetet rreth 370 mijë studentë nga Kina.

Një zëdhënëse e DASH i përshkroi personat që iu refuzua viza si “student dhe kërkues me rrezikshmëri të lartë”. Ajo shtoi se 1000 është një numër shumë i vogël me totalin e shtetasve kinezë që ndjekin studimet në SHBA.

“Ne do të vazhdojmë të mirëpresim studentët e ligjshëm nga Kina që nuk ndjekin qëllimet e Partisë Komuniste Kineze për dominancë ushtarake”, u shpreh ajo.

Kohët e fundit tensionet mes Kinës dhe SHBA janë rritur ndjeshëm me kreun e Shtëpisë së Bardhë që akuzon Pekinin zyrtar se mbajti të fshehura të dhënat dhe nuk bëri aq sa duhej për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.