Pak orë pas prezantimit zyrtar të raportit hetimor të Oganizatës Botërore të Shëndetësisë për origjinën e koronavirusit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të tjera shprehën shqetësime në lidhje me shpejtësinë dhe plotësinë e gjetjeve.

Në një deklaratë të përbashkët, vendet theksuan shqetësimin se hetimi “ishte vonuar dhe ekspertët nuk patën qasje në të dhëna dhe mostra të plota dhe origjinale nga autoritetet kineze”.

“Misionet të tilla shkencore duhet të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre në kushte që të prodhojnë rekomandime dhe rezultate të pavarura dhe objektive”, thuhet në deklaratën e vendeve të tilla si Britania e Madhe, Kanada dhe Koreja e Jugut.

Studimi i OBSH-së, i kryer së bashku me Kinën, siguroi vlerësime të burimit të mundshëm të virusit që ka shkaktuar deri më tani vdekjen e mbi 2.7 milionë njerëzve në të gjithë botën. Një ekip vizitoi Wuhanin, ku u shfaqë rastet e para.

Raporti përshkroi transmetimin fillestar viral nga kafshët tek njerëzit si “rrugën më të mundshme”.

Ekspertët thanë se ka pak gjasa që virusi të kishte rrjedhur nga laboratori i virologjisë i Wuhanit, duke hedhur poshtë teorinë e ish-drejtorit të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të SHBA-së, Robert Redfield, gjatë administratës Trump.

OBSH e përshkroi hetimin vetëm si fillimin e studimit për origjinën e virusit.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i Përgjithshëm i organizatës, shkroi në Twitter se hetimi përfaqëson “një fillim shumë të rëndësishëm, por nuk është fundi”.