CEO-ja i Twitter-it Jack Dorsey ka folur për vendimin e tij për të bllokuar presidentin Donald Trump nga rrjeti social.

Dorsey është shprehur se ndalimi i Trumpit ka qenë “vendimi i duhur”, por pranoi se ndalimi krijon një precedent të rrezikshëm ku korporatat kontrollojnë diskutimin publik.

“Unë nuk festoj ose ndjehem krenar”, shkroi Dorsey për ndalimin e Trumpit duke shtuar: “Unë besoj se ky ishte vendimi i duhur për Twitter-in. Ne u përballëm me një rrethanë të jashtëzakonshme dhe të paqëndrueshme, duke na detyruar që të gjitha veprimet tona t’i përqendrojmë në sigurinë publike”.

Më tej në deklaratën e tij drejtuesi i rrjetit social  tha se vendimi i tyre duke qenë se është shumë i vështirë do të ketë pasoja dhe akuza për censurë, pasi do të shihet se thyerje e idesë që bota në internet është falas dhe është e të gjithëve.

Vendimi për të hequr përdoruesit, postimet dhe cicërimet është kritikuar nga disa për shkeljen e të drejtave të fjalës së lirë.

“Marrja e këtyre veprimeve fragmenton bisedën publike. Ato na ndajnë. Ato kufizojnë potencialin për sqarim, shëlbim dhe mësim. Dhe krijon një precedent që unë mendoj se është i rrezikshëm: fuqia që ka një individ apo korporatë mbi një pjesë të bisedës globale publike”- shkroi Dorsey.

Vendimi për bllokimin e Presidentit Trump në mediat sociale ka sjellë reagime të shumta dhe jashtë SHBA-ve. Kncelarja Angela Merkel tha se ishte kundër vendimit.

Ndërkohë që Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka thënë se ai dëshiron që kompani si Facebook dhe Twitter të bëjnë më shumë për të hequr gjuhën e urrejtjes dhe lajmet e rreme.

Twitter-i nuk ishte rrjeti i vetëm social që e censuroi presidentin Trump pas trazirave në Kapitol. Facebook, Instagram, Snapchat dhe YouTube bënë të njëjtën gjë.