Oficeri më i lartë amerikan, Mark Milley, u tha ligjvënësve në Kongresin amerikan se shanset për një konflikt të mundshëm ndërkombëtar po rriten, raporton CNN.

Në dëshminë e parë në Kongres që nga që nga nisja e pushtimit rus mbi Ukrainë, gjenerali Milley dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin thanë se kërcënimet si nga Rusia ashtu edhe nga Kina mbeten të rëndësishme.

Milley tha se pushtimi rus i Ukrainës është kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë e Europës dhe ndoshta të botës në 42 vitet e shërbimit të tij në ushtrinë amerikane, por shtoi se ishte shpresëdhënëse të shihje se bota po mblidhet rreth Ukrainës.

“Tani po përballemi me dy fuqi globale: Kina dhe Rusia, secila me kapacitete të rëndësishme ushtarake që të dyja synojnë të ndryshojnë rrënjësisht rregullat e bazuara në rendin aktual global. Ne po hyjmë në një botë që po bëhet më e paqëndrueshme dhe potenciali për konflikt të rëndësishëm ndërkombëtar po rritet, jo po zvogëlohet”, tha Milley.

Gjenerali më i lartë amerikan thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë mundësinë e më shumë bazave në Europën Lindore për t’u mbrojtur ndaj agresionit rus. Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Mark Milley tha në Kongresin amerikan se trupat duhet të shërbejnë me rotacion dhe jo të ketë dislokime të përhershme. Gjenerali Milley tha se bazat mund të financohen nga vende të tjera si Polonia dhe vendet baltike që duan më shumë trupa amerikane.

Gjenerali Milley pranoi gjithashtu se agresioni i Moskës në Ukrainë dhe kërkesat e saj të vazhdueshme që SHBA dhe NATO të pakësojnë trupat dhe armët në vendet evropiane përgjatë kufijve të Rusisë, sinjalizojnë një konflikt të gjatë në rajon që mund të shtrihet përtej Ukrainës.

“Unë mendoj se ky është një konflikt që do të zgjasë. Nuk e di nëse do të zgjasë për dekada, por me vite me siguri,” tha Gjenerali Milley.

“Mendoj se NATO, Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe të gjithë aleatët dhe partnerët që po mbështesin Ukrainën do të jenë të përfshirë për një kohë të konsiderueshme”, tha ai.

Sekretari Austin shtoi se kërkesat e gjera ruse nuk ishin të pranueshme për NATO-n dhe SHBA po shikon mënyra për të ofruar ndihmë dhe trajnim shtesë për vendet, përfshirë aleatët jo anëtarë të NATO-s si Gjeorgjia dhe Finlanda.

Të dy ata thanë se e vetmja mënyrë e mundshme për të frenuar rusët mund të kishte qenë vendosja e trupave amerikane në terren brenda Ukrainës, por ky opsion u hodh poshtë sepse paraqiste rrezikun për një luftë më të gjerë të SHBA-së me Rusinë.

Gjenerali Milley tha se ai nuk ishte i sigurt nëse presidenti rus Vladimir Putin mund të frenohej pasi agresioni ndaj Ukrainës kishte qenë një qëllim afatgjatë për Moskën.