Sherri në fushë mes Zlatan Ibrahimovic dhe Romelu Lukakut bëri xhiron e botës, pasi ishte një episod aspak i këndshëm për t’u parë në derbin e Milanos, megjithatë dy sulmuesit duket se ia kanë hedhur paq.

Kjo pasi Gjykata Sportive në Itali ka vendosur t’i pezullojë vetëm me një javë dy futbollistët, pra aq sa parashikon kartoni i kuq i Ibrës dhe i verdhi i Lukakut, që plotësoi numrin e dy kartonëve të verdhë të marrë në Kupën e Italisë.

Arbitri Paolo Valeri duket se u ka bërë një nder të madh dy sulmuesve, liderë në skuadrat përkatëse, pasi nuk ka shënuar asgjë ekstra për përplasjen mes tyre, por është mjaftuar vetëm me vendimet që dha në fushën e lojës.

Megjithatë ende nuk ka përfunduar asgjë, pasi Prokuroria Federale mund të ndërhyjë edhe pa procesverbalin e arbitrit, e të marrë në shqyrtim provat televizive për të dënuar dy protagonistët e sherrit aspak të këndshëm në derbi.

Gjithsesi ky organ pranë Federatës Italiane të Futbollit nuk është shprehur ende nëse do të marrë në konsideratë rastin në fjalë, apo do të arkivojë vendimin e marrë nga Gjykata Sportive paraditen e sotme.