Bashkimi Europian paralajmëron se do të kufizojë eksportet e vaksinave anti-covid të prodhuara në bllok, mes përplasjes me AstraZeneca për vonesat në dërgesa.

Javën e kaluar, kompania farmaceutike, me bazë në Britaninë e Madhe, njoftoi BE-në se do të reduktonte me 60 për qind dozat e destinuara për shtetet anëtare, për shkak të problemeve në prodhim.

Gjithashtu, Pfizer dhe Biontech kishin bërë të ditur më herët se dërgesat do të ishin më të reduktuara, çka ka çuar në ngadalësim të fushatës së imunizimit në Europë. Përplasja me AstraZenecan, mund të prekë dërgesat me vaksinën e Pfizer në Britaninë e Madhe, e cila është prodhuar në bashkëpunim me gjermanen Biontech. Deri më tani, Londra e ka siguruar vaksinën përmes fabrikës së Pfizer në Belgjikë.

“Bashkimi Europian do të dijë me saktësi se sa doza janë prodhuar nga AstraZeneca, ose kujt i janë dërguar. Përgjigje që na ka dhënë kompania deri më tani nuk kanë qenë të kënaqshme”, tha Stella Kyriakides, komisionere për shëndetësinë.

Komisioneria për Shëndetësinë, shtoi më tej se kompanitë prodhuese në BE duhet të ofrojnë informacione të hershme nëse duan të eksportojnë vaksinat për vende të treta. Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, pohoi se kishin të drejtë ta dinin se çfarë prodhohej në BE, sa eksportohej dhe nëse shpërndarja ishte e drejtë. AstraZeneca, kompania britaniko-suedeze me bazë në Angli tha se po bënte çdo përpjekje për të çuar në kohë vaksinën te miliona qytetarët europianë.

BE pritet t’i japë dritën jeshile vaksinës më 29 janar, e sipas një kontrate duhej të siguronte rreth 80 milionë doza deri në mars.

Reagon Britania: Të shmangim nacionalizmin e vaksinave

Duke iu përgjigjur komenteve të BE-së, që paralajmëroi se do të kufizojë eksportet e vaksinave anti-covid të prodhuara në bllok, mes përplasjes me Astrazenecan për vonesat në dërgesa, ministri britanik për Vaksinimin, Nadhim Zahawi, tha se si vendi i tij, ashtu edhe Bashkimi Europian, duhet të sigurojnë dozat e porositura. Ministri, po ashtu, paralajmëroi kundër nacionalizmit të vaksinave.

“Kam besim se Pfizer do të dërgojë dozat sipas planit, si për ne, ashtu edhe Bashkimin Europian. Gjithashtu, mendoj se edhe AstraZeneca dhe Moderna, do ta bëjnë. Ndërsa, vaksina të tjera aprovohen ne do të kemi më shumë doza në dispozicion në javët e muajt në vazhdim. Ajo që duhet të bëjmë, është të shmangim nacionalizmin e vaksinës. Duhet të punojmë bashkë për të siguruar imunizimin e popullit britanik, që është edhe prioriteti im, por edhe për të mbrojtur të gjithë botën, pasi askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jemi të sigurt”, u shpreh Nadhim Zahaewi, ministri britanik për Vaksinimin.