Shoferi 22-vjeçar i makinës “Audi”, që u përplas këtë të premte me një makinë “Toyota” duke shkaktuar vdekjen e 4 anëtarëve të një familje është arrestuar nga Policia e Vlorës.

Sipas policisë, 22-vjeçari Igli Madani, banues në Tiranë, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga mbrapa mjetin ku udhëtonte Eduart Gushi, 44 vjeç së bashku me bashkëshorten Silvanën, 33 vjeçe dhe dy vajzat, Anastasia dhe Eva, 14 dhe 9 vjeç.

Për pasojë mjeti ka dalë nga rruga duke u shkatërruar plotësisht dhe duke shkaktuar vdekjen e 4 anëtarëve të familjes Gushi.

Nga aksidenti ka mbetur i plagosur edhe vetë drejtuesi i mjetit që u arrestua dhe dy pasagjerë që udhëtonin me të, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Materialet në ngarkim të tij i  kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:23 të mëngjesit në aksin Fier-Vlorë në vendin e njohur si “kripa”. Familja Gushi ishte me origjinë nga Patosi. Ata sapo ishin kthyer nga Greqia dhe ishin duke shkuar me pushime në bregdet.

Përplasja ka qenë shumë e fortë për makinën “Toyota” ku udhëtonin ata pasi u shkatërrua plotësisht. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë trupat nga automjeti.