Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, doli në një deklaratë këtë të martë ku tha se inspektorët e Njësisë Antikorrupsion kanë çuar për shkarkim pothuajse të gjithë Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës. Bëhet fjalë që nga drejtori i kësaj Agjencie në qytetin bregdetar, 3 përgjegjës dhe 10 specialistë.

“Është institucioni ku pjesëtarët e Drejtorisë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë mjafton të marrin rastet dhe praktikat që kanë mbi tavolinë dhe me të gjitha gjasat aty natyrisht do të ketë shkelje në mos të natyrës penale, e sigurtë që ka shkelje të natyrës administrative. Vazhdojmë me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Durrës. Që në fillim të herës po them që kemi çuar si masë për shkarkim nga detyra pothuajse të gjithë drejtorinë. Pra praktikisht ne kemi referuar Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, pra Drejtorit të Përgjithshëm të ASHK, shkrirjen e kësaj drejtorie nga drejtori i ASHK Durrës, tek përgjegjësi i sektorit të legalizimeve, tek përgjegjësi i sektorit të hartografisë dhe regjistrimit, përgjegjësi i sektorit të kalimit të pronësisë dhe 10 specialistë të kësaj drejtorie. Janë 215 dosje legalizimesh objekte që janë marrë në shqyrtim nga inspektorët tanë vetëm për periudhën Gusht-Tetor 2021. Ka rezultuar se në këto dosje mungonin pothuajse totalisht dokumentacionet më të rëndësishme që kërkon ligji. Një praktikë pune abuzive dhe fiktive pa vetëdeklarime për legalizim nga subjektet, pa akte evidentimi në terren, pa kartela të pasurisë apo aktit juridik të pronës, pa harta treguese, pa ortofoto dhe një sërë shkeljesh të tjera. Personalisht mendoj se është një guxim i madh, pra një kompani, një zyrë në shkelje, nga drejtori deri tek specialistët të sinkronizuar me njëri tjetrin për të gjitha proceset e punës që disiplinon ligji nga duhet të kalojë një praktikë legalizimi”, tha Manja.

Manja tha se këta persona nuk janë ndalur me kaq, pasi kur Njësia Antikorrupsion ka nisur kontrollet drejtoria vendore e Kadastrës në Durrës është përpjekur që të ribërë dosjet.

“Jo vetëm kaq, por pasi Drejtoria Antikorrupsion ka tërhequr dosje dhe ka nisur kontrollet, drejtoria vendore e ASHK Durrës është përpjekur të ribëjë dosjet duke i plotësuar me të dhëna të ndryshuara. Kjo gjë e rëndon edhe më shumë situatën, pasi institucioni që është objekt kontrolli nuk mund të bëjë asnjë riformulim të akteve të vëna në dispozicion të grupit të inspektimit. Në lidhje me këtë raport Ministria e Drejtësisë ka bërë kallëzimet penale përkatëse si dhe po çon shtesa kallëzimesh për të gjitha këto çështje për të garantuar me prova organin e hetimit që është prokuroria. Gjithsej kemi konkluduar me një raport prej 386 faqesh për legalizimet e kryera në Kadastrën Durrës”, tha ministri Manja.

Manja tha se do të dërgohen në prokurori edhe dy raste që i takojnë Agjencisë Vendore të Kadastrës në Sarandë. Manja tha se në këtë agjenci punonjësit e konsiderojnë veten edhe mbi gjykatat.

“Janë marrë në shqyrtim dhe rastet që do t’i referojmë në prokurori, sot i takojnë Agjencisë Vendore të Kadastrës Sarandë. Në fakt janë dy raste që i përkasin shtetasve P.D dhe R.D, të cilët nuk kanë lidhje gjaku mes tyre, për të cilët është kallëzuar në prokurori tashmë ish-drejtori dhe ish-përgjegjësi i sektorit të legalizimeve të Aluiznit Sarandë. Në rastin e parë, ish-drejtori së bashku me ish-përgjegjësin dhe ish-specialistin e sektorit të legalizimeve të Drejtorisë Rajonale të Sarandës, pavarësisht vendimit të Gjykatës Gjirokastër për pezullimin e procesit të legalizimit dhe kthimin në gjendjen fillestare të situatës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka vijuar me legalizimin e objektit dhe pajisjen me lejen përkatëse. Pra, edhe pse ka pasur një vendim gjykate për të pezulluar procesin e legalizimit, jo për këto zyrtarët e Kadastrës Sarandë nuk vlen vendimi i gjykatës.

Kuptohet, po të ishte për legalizim apo regjistrim, këta do ta kishin zbatuar menjëherë vendimin e Gjykatës. Jo vetëm kaq, por krejtësisht si në mall pa Zot, objekti i legalizuar rezulton se nuk plotëson kriteret urbanistike të parcelizimit dhe ndërtimit, duke zënë me ndërtim pjesërisht sipërfaqet të 4 parcelave, si dhe duke bllokuar tërësisht rrugën e planifikuar sipas studimit urbanistik të Bashkisë. Pra, këta janë kritere të qarta që këtë objekt e përjashtojnë tërësisht nga legalizimi. Rasti i dytë është sërish një kundërvënie ndaj një vendimi gjykate për sigurimin e padisë mbi një objekt, por mesa duket punonjësit e Agjencisë së Kadastrës në Sarandë e konsiderojnë veten dhe mbi gjykatat dhe kanë vazhduar duke i dhënë lejen e legalizimit pavarësisht se godina e legalizuar prek përsëri infrastrukturën rrugore”, tha Manja.