Pandemitë e ardhshme mund të jenë më vdekjeprurëse sesa Covid-19. Ky është paralajmërimi që vjen nga një prej krijuesve të vaksinës AstraZeneca.

Prof. Sarah Gilbert tha se duhen më shumë fonde për pandemitë pasardhëse, për të parandaluar pasojat e tyre. Gjithashtu, shtoi se vaksinat aktuale mund të jenë më pak efikase ndaj variantit Omicron.

Kjo nuk do të jetë hera e fundit që një virus kërcënon jetët tona. E vërteta është që pandemia e radhës mund të jetë edhe më keq. Mund të jetë më e transmetueshme ose më vdekjeprurëse, ose të dyja bashkë”, deklaroi Gilbert.

“Nuk mund të lejojmë që pas gjithë këtyre që kemi kaluar, të mos kemi fonde për të përballuar pandeminë e ardhshme. Avancimet që kemi bërë, dija që kemi përfituar deri tani, nuk duhen humbur”, shtoi Gilbert.

Për shkak të rolit të saj në zbulimin e vaksinës, Gilbert është nderuar nga Mbretëresha Elizabeth II e cila i ka dhënë titullin Damë.

Ajo ka punuar në prodhimin dhe testimin e vaksinave për më shumë se një dekadë, kryesisht duke përdorur antigjenët nga malaria dhe gripi dhe nisi projektin për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit në fillim të vitit 2020, pasi virusi u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019.