Shkodra, por dhe mjekësia shqiptare, humbën një ndër kirurget më të njohura e të nderuara, jeta e së cilës u shua nga COVID-19.

Bëhet fjalë për Zyliha Krajën, bashkëshorten e dramaturgut të njohur shkodran Fadil Kraja.

Kolegu i saj kirurg, Shpëtim Ymeri, tha se i kishte “barrë e madhe” të kumtonte ikjen e saj.

“Nuk e mendoja kurrë që të më vije në këtë barrë që të flisja në këtë ceremoni mortore, mendoja që do të shtrëngoja dorën siç bëja në spital dhe të thoja ‘ia hodhe mikja ime!’.

Nuk mundëm të të shpëtonim pavarësisht përpjekjeve tona maksimale.

Humbje e madhe për familjen, e mbarë qytetin.

Ndihemi të pikëlluar për këtë humbje, të një profesioniste të vërtetë, dokroreshë humane, të palodhur dhe fjalëpak, besnike të këtij profesioni që qëndroi deri në ditën e fundit.

Burim frymëzimi, ne të jemi mirënjohës!

Kemi kaluar momente stresi, lidhje e sakrifica por edhe sadisfaksionin që të jep profesioni si kirurg. Njerëzit si ti nuk vdesin kurrë, por jetojnë në mendjen dhe zemrat tona”, tha ai, teksa nga pas kolegë të tjerë nuk mbanin dot lotët.