(Sprovë për të bërë për kritikun)

– Noke Abileka, ky lab i modernizuar së tepërmi, ky evropian me theks labërishte, ka diçka të veçantë… –

Nga Grigor Jovani

Sapo mbarova së lexuari romanin “Shoku Hiç” të Novruz Abilekës. Bëra të pamundurën, sepse jam duke shkruar vetë këto kohë një libër të tillë. Dhe nuk qenka si të shkruash një libër me vjersha. Ç’nuk mëson njeriu! Edhe krijuesi. Një libër i përmasave të tilla të përfshin të tërin. Nuk ke kohë dhe dëshirë të merresh me gjëra të tjera. Por Nokja nuk është nga ata që mund ta vësh në një cep, në një raft të bibliotekës tënde dhe të justifikohesh: “Më vonë…”

Noke Abileka, ky lab i modernizuar së tepërmi, ky evropian me theks labërishte, ka diçka të veçantë. Të jem i sinqertë: nuk e kam ndeshur diku tjetër kaq thekshëm midis kolegëve të mi të Diasporës. Ata të Atdheut, dua përgjegjshëm t’i injoroj, sepse, si injorantë klasikë që kanë mbetur, të njejtën gjë bëjnë me ne. Dhe të thuash se krijojnë ndonjë letërsi të madhe, qeni qepën të hante. Pseudomodernizma të fshatarizuara bëjnë… Vetëm kur ulesh me ta në ndonjë tavolinë, kupton ç’janë…. Sindromistë të injorancës provinciale. Dhe lumturohesh, që ke kapërcyer kufinjtë. Qoftë edhe fizikisht. Të paktën, i afrohesh në nivel Abilekës…

Nuk e bëra më kot këtë parantezë snobiste. Le të më shajnë. Le të na shajnë të gjithëve ne, emigrantëve të paatdhe të letrave. Unë do t’u bëj vetëm një pyetje, të kohës: “E keni lexuar Abilekën?”

Nuk do ta kenë lexuar, sigurisht. Unë, që porsa e lexova, prandaj kapërceva veten: që të armatosem, t’u them: kështu bëhet letërsia!

Bëje moderne, dakort. Por të të burojë, ama, të jetë e jotja. Mbi të gjitha, të jetë shqip, të kuptohet. Dhe, dreqi e mori, të jetë një libër me fjali të sakta. Gjuhësisht. Nuk më duhet, se nuk ke mbaruar gjuhësi, si Abileka. Nuk më duhet, se redaktorët janë të paaftë. I paaftë je ti, që u bie në dorë të paaftëve. Ke parë ndonjë murator, të bëjë mur të shtrembër? Edhe pse ndihmësit i ka të dorës së dytë… Ti pse e bën të shtrembër fjalinë? Në fund të fundit, ky është zanati yt… Nëse nuk mundesh, mos e bë. Ah, të ndodhte kjo! Do të shpëtonim nga 85 % të atyre që nxijnë letra.

Kjo është merita e parë e Abilekës. Edhe tek ky libër. Di të shkruajë. Nuk nxin, por zbardh. Të zbardh edhe shpirtin, duke e lexuar. Jo vetëm të kënaq estetikisht, por meson edhe diçka. Doemos, nuk e mësoi tani zanatin. Tani e vuri në provë. I bëri një test vetvetes. Si shkrimtar. Si atlet i artit. Dhe stekën e ngjiti lart. Në kushte të vështira. Duke bërë art modern. Një roman të tillë, që të zë frymën nga vështirësia.

Ta konkretizoj.

Bën edhe filozofi, edhe art, edhe është në rregull me gjuhën. Ngaqë ka marrë kategoritë që i duhen për këtë punë. Nuk thotë: pse mo, kur e bëjnë të tjerët, si mos ta bëj unë?! Dhe frap, siç bëjnë të rinjtë: romane me të parë! Nokes iu desh shumë të vinte gjer këtu… Bëri libra të tjerë të këtij lloji. Më pak të suksesshëm. Por të saktë. Për të ardhur tek ky, i suksesshmi. “Shoku Hiç”.

Nuk ndodhin vetë këto punë. Duhen ca premise. Mjeshtri duhet t’i ketë të cilësisë veglat e punës. Që të bëjë punën që duhet. Çfarë? Gjuhën e figurshme, ngarkesën filozofo-psikologjike në masën e duhur dhe – atë që e bën artist – stisjen kompozicionale. Me këtë të fundit nuk lozet. Ata që eksperimentojnë, bëjnë izma. Abileka, që bën kompozicion produktiv, të efektshëm, bën letërsi. I ndërrthur gjërat. I pëlqen surealizmi. (Miku im, studjuesi Boçi – i ndrit’të shpirti atje ku është – , nga dashamirësia i quante të gjithë pak a shumë surealistë. Abileka e meriton). Ia kërkon modernja. Përmbys kohë, ngatërron ambjente. Thërret filozofë, edhe ata mëkatarët, të marrin pjesë në luftë. Qëllimisht. T’i ngatërrojë gjërat. Art-vizë nuk ka. Letërsia e thjeshtë është vetëm e kalamanjve. Që të mos lodhen, t’i zerë gjumi shpejt. Po e zuri gjumi lexuesin e rritur, e ke humbur davanë si shkrimtar. Ish “komunisti” Noke, kopjon këtu Mao Ce Dunin. Turbullon, që t’i kthjellojë gjërat. Nëpërmjet artit të tij, që vjen nëpërmjet fjalës. Fjalës së punuar gjer në skolacitet. Dua ta përsëris: një mjeshtër murator duket nga gdhendja edhe vetëm e një guri. Siç mund të provosh një verë, me një të pirë. Shkrimtarin e dobët, edhe vetëm një fjalë e pagdhendur e tradhton. Mjeshtri lab Noke, nuk qëlloi i pushkës (lavdi zotit, bëri përjashtim!), qëlloi murator i zoti fjalësh. Hallall! Pa edhe dekorata do marrë. Për këto kemi Lidhjet tona të Shkrimtarëve… Se mos bëjnë punë tjetër! Të ishte ndryshe, nuk do ta bënte Abileka promovimin e këtij romani në Ambasadë… Atje vetëm dekorata shpërndahen. Nga shteti-baba, që përkujdeset si ai për artistët e vet. Amin!

Le të kthehemi tek letërsia. Kaq për mjeshtërinë. Mbase unë vetë nuk i ngjaj. Por të drejtën e gjykimit e kam. Njoh punën e mirë. Kaq vite… me gurët edhe unë. Sa lexova parathënien e këtij libri, ndonëse është pjesa më e dobët e tij, ngaqë më ngjan si e qepur në të tërën, thashë: shyqyr! Do ta mbaroj gjer në fund një libër!

I tha para ca kohësh Nokja një djaloshi të ri, që fill pas vargjeve nuk humbi kohë, provoi prozën (mbase nga dëshira e plotësimit, sikur këtë e ke ti në dorë – zgjat dorën dhe e merr): “Shiko djalë, nëse edhe romanin që ke në dorë, i bën si vjershat, mos vazhdo më mirë…” U hodhën ta linçojnë. Puritanët. Ata që dhimbsen për talentet e reja. Që bërtasin andej dhe këndej: “Mos i kritikoni të rinjtë, bëni sakrilegj!” Të moshuarit e rinuar! Që ecin me të rinjtë… por që nuk zënë dot asnjë dashnore, si djelmoshat. Vetëm shtiren, autorinohen – jo autourinohen – i bëjnë qejfin vetes. Noke shkrimtari nuk iu ngjit “topit tek grika”, por tha thjesht atë që mendonte. Se mendon si shkrimtar Novruz Abileka. I dhemb ajo e flamosura dashnore, letërsia. Nuk duron t’i bëjnë “seks të mbrapshtë” të rinjtë. Ta dashurojnë, mirë, të rinj janë. Por të bëjnë dashuri për të qenë, me dhimbshuri, jo ta linçojnë. Përndryshe, ta lënë rehat. Pse nuk ua kërkon këtë edhe puritanëve, o Noke? I mëshiron, ngaqë janë të pamundur?

Duhet të shkoj prapë në fillim. Si ta quaj librin e ri të Abilekës, “Shokun Hiç”? Roman? Sprovë filozofike? Vetë ai nuk e quan asgjë. Puritanët dhe të rinjtë do të nguteshin ta shkruanin me gërma të mëdha, qysh në kopertinë: ROMAN, TREGIME DHE NOVELA, ESE FILOZOFIKE. “Drang e drung këmborë e madhe,/ Qumështi gjysëm okadhe…” As romane mund të bëjnë, as novela janë ato prozat e tyre. Biles as tregime. Rrëfime thjesht janë, përralla…

Do e marr guximin unë. Është ROMAN. I një lloji të veçantë. Nuk po gjej fjalën seleksionuese të saktë. Po mundohem: Roman meditativ. Roman psiko-filozofik. Roman satirë. Përfundimisht: i ka të gjitha. Është një vepër surealiste, ku e traditshmja takon risinë. Realja ndërthuret me abstakten dhe jep një brum artistik të veçantë. Ngaqë ka edhe lirikën brenda. Për dreq, skenat erotike janë ato që më pëlqyen më shumë. Kishin shumë poezi, shumë autoironi, them t’ia vjedh për ndonjë nga vjershat e mia… Askund tjetër nuk e kam ndeshur këtë. Filozofinë dhe poezinë bashkë. Thënë bukur, me ritëm. Edhe abstraktja kurrë më parë nuk më është dukur më e pranueshme. Gati e dashurova. Unë, partizan i Naimit. Vetëm tek disa tregime të Myslim Maskës e kam ndeshur këtë. Por në masë më të vogël, se bëhet fjalë për krijime të gjinive më të vogla. Ky roman i ka këto në doza të rënda, të plota, imponuese. Buka është pjekur plotësisht. Realizon atë ç’ka është menduar qysh në fillim. Se nuk shkohet partizançe në një krijim. Ç’të dalë… Dëgjoni, ju të rinj, që nuk lejoni mizë tek shpata juaj? Programohet letërsia, mendohet një herë kompozicioni, qep dhe shqep, kështu… Nuk bëhesh menjëherë… i madh. Do bythë dhe kohë!

Do kritikë, Noke Abileka? Ah, për këtë jemi të vetmit. Të nxijmë. Por do na shajnë puritanët: Ndalohen kritikat! Ndonëse ti, Noke, je ca plak, nuk je i ri, më i moshuar se unë… Dëgjo, gjysho, e tepron ca herë me ato përmendjet e të mëdhenjve… Filozofëve, politikanëve, vipave… Vend e pa vend. Hej, eseist je apo romancier?! E di, e di, e ke të traditës. Si ajo: “Edhe detin na e kemi bërë…” Ka të njejtën “sëmundje” me ty edhe patrioti yt i letrave, Arqile Gjata. Që foli i pari për librin në fjalë. Ngaqë i pëlqen të jetë edhe estet. Nuk e bën keq… Por është nga Skela. E pe, filloi dhe rreshtoi edhe ai të gjithë filozofët, prej të cilëve je ndikuar. Një, dy, dhjetë… “Ky tha këtë dhe ai atë…”

Faqe të tëra. Dhe vu filozofitë, dhe vu citimet. Për librin asgjë. Ore, libri është mjeshtëria e shkrimtarit, jo ata prej të cilëve është ndikuar. E di, mor e di, që dini shumë. Problemi është të mbushësh okadhet me qumësht, përveç tringëllimës së këmborëve. Ti, Noke, nuk them, i mbush… Dhe ç’qumësht! Por disa herë përsëritesh.Po ta them përsëri. Sidomos tek abstragimet filozofike i bie fyellit në një vrimë. Je lab, dreqi e mori, don të dukesh. Por hallall! Kur duken ca e ca, që s’duken…

GRIGOR JOVANI