Një gafë e UEFA-s bëri të pavlefshëm shortin e hedhur disa orë më parë në Champions League. Manchester United u shortua me Villareal, ndërkohë që me spanjollët nuk mund të luante duke qenë se ishin përballur në fazën e grupeve, ndërsa sërish një tjetër gabim lidhur me Djajtë e Kuq, ishte edhe ai kur u hoqën si opsion për t’u ndeshur me Atletico Madrid.

Në këtë mënyrë shorti është hedhur edhe njëherë tjetër.

Goglat kanë vendosur përballje spektakolare si Atletico Madrid-Manchester United (ku Ronaldo rikthehet në Madrid, si në kohën kur luante derbin me fanellën e Realit).

Interi rezultoi në shortin e dytë, ndërsa do përballet meLiverpool, në shortin e parë kishte përballë Ajaksin.

Supersfida tjetër e madhe është PSG-Real Madrid (ku Messi sfidon Los Blancos), teksa goglat janë treguar të mëshirshme për Bayern Munich që luan ndaj Salzburg, apo edhe për Juventus që niset favorit ndaj Villareal.

Nga ana tjetër, Manchester City e nis këtë fazë në transfertë ndaj Sportingut të Lisbonës, ndërsa Chelsea (kampionia në fuqi) pret përballjet me Lille.

Shorti i fazës së 1/8-tave:

Salzburg-Bayern Munich

Sporting Lisbon-Manchester City

Benfica-Ajax

Chelsea-Lille

Atletico Madrid-Manchester United

Villareal-Juventus

Inter-Liverpool

PSG-Real Madrid