Nga Roberto Saviano*

Le të marrim një situatë, ndër më banalet: një njeri që ecën në rrugë. Në çast kërkon të kujtojë diçka, por nuk mundet. Atëherë, instiktivisht, ngadalëson hapin. Nga ana tjetër, kush kërkon të harrojë një ngjarje të dhimbshme, pa e pasur mendjen përshpejton ecjen, duke kërkuar të largohet nga diçka që e ndjen ende shumë të afërt në kohë.

Milan Kundera botoi librin “Ngadalësia” në vitin 1995 duke na dorëzuar në një libër refleksionet mbi qenien njerëzore, mbi mënyrën si e përdor dhe perceptimin që ka për kohën: reflektime që sot janë të vlefshme për të kuptuar se çfarë ndodh kur ia delegojmë teknologjisë ndërmjetësimin mes njeriut dhe jetës, mes njeriut dhe ndodhive, mes njeriut dhe politikës dhe në hallkën e fundit, mes njeriut dhe njeriut.

“Ka një lidhje të fshehtë mes ngadalësisë dhe kujtesës, mes shpejtësisë dhe harresës”, thotë Kundera duke shtuar: […] epoka jonë është e magjepsur nga dëshira për të harruar dhe për ta realizuar këtë dëshirë, i dorëzohet djallit të shpejtësisë”.

Ky konstatim i fundit nuk ka vetëm një vlerë filozofike, por mbi të gjitha praktike, sepse nuk harrohen vetëm vuajtjet: harrohen mbi të gjitha eksperiencat, historia, pratikat më të mira, gjithë sa ka ndodhur dhe që me shumë mundësi nuk do të përsëritet më kurrë.

Dhe këtu ndodhet guri i themelit. Tronditja e shpejtësisë bën që motoçiklisti të harrojë gjithçka, të harrojë të ardhmen, sepse është tërësisht i përqëndruar në të tashmen. Dhe pa menduar për të ardhmen, njeriu heq dorë nga çdo frikë. Nga ana tjetër, në ecje – gjymtyrët e poshtme që prekin tokën, frymëmarrja, lodhja, ndoshta edhe etja – trupi vetë na kujton se shpejtësia e ecjes është pikërisht aq sa mund të përballojë. Nuk ka asnjë mundësi për ta transferuar diku tjetër këtë gjë.

Lëvizja që i besohet mjeteve mekanike është një metaforë që shumë mirë shpjegon se çfarë ndodh kur trupi nuk është i përfshirë në veprimin që po kryejmë. Duke e thjeshtuar, arrijmë në një papërgjegjshmëri që shpjegon cektësinë – për të mos thënë egërsinë – e disa politikave të caktuara, dhunën e disa komenteve në internet të cilat megjithëse fillimisht nuk janë materiale, hynë në mënyrë prepotente në jetët tona materiale dhe konkrete, duke i kushtëzuar dhe shpesh herë duke i përkeqësuar.

“Shpejtësia është forma e ekstazës që revolucioni teknologjik i ka dhuruar njeriut”, vazhdon Kundera. “Po kur ai ia delegon fuqinë e prodhimit të shpejtësisë një makinerie, atëherë gjithçka ndryshon: trupi i tij del jashtë loje dhe shpejtësia së cilës i dorëzohet është jomateriale – shpejtësi e pastër, shpejtësi vetëm brenda shpejtësisë, shpejtësi ekstazë”.

Dhe në ekstazën e shpejtësisë, e cila vendosmërisht pushon së qeni një vlerë dhe që filozofikisht bëhet një mjet për të arritur harresën, praktikisht një shkurtore për ta përqëndruar vëmendjen tek vetja, ne përfundojmë duke pranuar një realitet që është i papajtueshëm me atë që jetojmë, që shohim, që perceptojmë, por në mënyrë të përkryer në përputhje me dëshirën për të humbur në harresën që imponon rregullat e saj në rrjetet sociale.

Shkalla e ngadalësisë është proporcionale me intensitetin e kujtesës. Shkalla e shpejtësisë është drejtpërdrejtë proporcionale me intensitetin e harresës: le të mundohemi mos t’i harrojmë këto ekuacione të matematikës ekzistenciale të Kunderës. Le t’i kujtojmë kur presim që gjithçka të ndodhë në kohën më të shkurtër të mundshme, kur mendojmë se nuk kemi kohë për t’u thelluar, për të kuptuar, për të lexuar, për të dëgjuar. Le t’i kujtojmë kur ndiejmë shkëputjen e fortë midis asaj që jetojmë dhe asaj na thuhet. Ky është spiuni që na thotë: Ndalo! Merr ca kohë. Harresa nuk është rruga për t’u ndjekur. Nuk jetojmë për të harruar, por për të kujtuar.

*Roberto Saviano është shkrimtar dhe gazetar italian.