Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur projektvendimin për shpërndarjen e mandateve në 12 qarqet e vendit.

Sipas këtij projektvendimit të hartuar nga Komisioni Rregullator, një prej tre shtyllave të KQZ-së së re të miratuar sipas marrëveshjes së 5 qershorit, Tiranës do t’i shtohen dy mandate në zgjedhjet e 25 prillit, duke e çuar këtë qark në 36 mandate.

Në vlerësimin e Komisionit Rregullator, nga lëvizja demografike, u hiqen dy mandate përkatësisht Qarkut të Dibrës dhe Qarkut të Gjirokastrës.

Pas këtyre ndryshimeve, Qarku Dibrës do të nxjerrë më 25 prill 5 nga 6 mandate deputetësh që kishte deri më tani, ndërsa Qarku i Gjirokastrës do të nxjerrë 4 nga 5 mandate që kishte.

Në 9 qarqet e tjera, numri i mandateve nuk ndryshon. Fieri mbetet Qarku i dytë më i madh për nga numri i deputetëve me 16, ndjekur më pas nga Elbasani dhe Durrësi.