Të paktën 60 persona kanë humbur jetën dhe 140 të tjerë janë plagosur nga shpërthimet kamikaze që ndodhën sot, pranë aeroportit të Kabulit.

Mes viktimave, Pentagoni konfirmoi se kishte edhe 12 amerikanë. Midis viktimave ndodhen gra, fëmijë dhe disa roje talibane.

Të lënduarit janë dërguar menjëherë në spitalin lokal, ndërkohë të tjerë janë larguar me karroca dore nga vendngjarja, disa prej tyre me plagë të mbështjella rreth tyre me fasho të sajuara nga veshjet.

Shpërthimi jashtë aeroportit është pasuar nga një shpërthim i dytë jashtë hotelit Baron, i cili përdorej nga Britania për të kontrolluar nëse britanikët dhe afganët ishin në rregull me dokumentacionin e evakuimit.

Pavarësisht sulmeve Pentagoni konfirmoi se misionet e evakuimit do të vazhdojnë. SHBA tha se janë rreth 1 mijë shtetas amerikanë që besohet se ndodhen ende në Afganistan.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin u përcolli ngushëllimet dhe keqardhjen e tij familjeve të trupave amerikanë të vrarë, si dhe atyre të plagosur.

“Terroristët u morën jetën në një moment kur këto trupa po përpiqeshin të shpëtonin jetët e të tjerëve,” tha zoti Lloyd përmes një deklarate.

Ai u zotua se ky akt nuk do ta dekurajonte ushtrinë amerikane në përmbushjen e misionit të saj. “Sepse po të bëjmë më pak se aq, sidomos tani, do të ishte një akt që përdhos sakrificën dhe dedikimin që këto burra e gra kanë bërë për atdheun tonë dhe popullin e Afganistanit”, tha shefi amerikan i Pentagonit në deklaratën e tij.

“sulm kompleks” nga dega afgane e ISIS

Ka patur të paktën dy shpërthime pranë aeroportit të Kabulit të enjten mes një përpjekjeje madhore dhe kaotike të evakuimit nga Afganistani, tha Pentagoni, me civilë dhe anëtarë të forcave ushtarake amerikane në mesin e viktimave të asaj që u përshkrua si një “sulm kompleks”.

Një burim i njohur me informacionet që merr Kongresi Amerikan tha se zyrtarët amerikanë besojnë fuqishëm se dega afgane e Shtetit Islamik, e njohur si Shteti Islamik Khorasan (ISIS-K), ishte përgjegjës për shpërthimet. ISIS-K kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara dhe talebanët.