Revolucioni dixhital është një ndër pikat ku do të fokusohet platforma e Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030. Këtë detaj e solli në vëmendje kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të punimeve për rijetëzimin e Piramidës së Tiranës.

Rama tha se dëshiron që shteti të jetë aktor i drejtpërdrejtë në mbështetjen e iniciativave për aftësimin sa më cilësor të të rinjve për tregun dixhital. Kreu i qeverisë nxorri në pah vetëm një aspekt të botës dixhitale, kodimin, dhe shtoi se nëse në vend vendoset një objektiv për të nxjerrë mijëra të rinj kodues atëherë është vënë një bazë tjetër për Shqipërinë e së ardhmes.

“Një nga pikat e platformës tonë për Shqipërinë 2030 që do ta prezantojmë së shpejti është pikërisht kjo, krijimi i një hapësire të re ku tanimë shteti duhet të jetë aktor i drejtpërdrejtë në sensin e mbështetjes së këtyre iniciativave për aftësimin sa më cilësor të të rinjve të sotëm për të qenë pjesë e këtij tregu të madh që ka mundësi vetëm të zgjerohet dhe jo të ngushtohet. Eksperienca e nisur në stadiumin kombëtar me zonën e parë të aftësimit të të rinjve përmes projektit të TUMO-s është një eksperiencë po tregon atë që ne e dinim, por sidoqoftë, kur ajo që di se mund të ndodhë prodhohet në realitetin e përditshëm është konfirmim se sa shumë ambicie ka në këtë vend për këtë fushë. Nëse vendosim një objektiv për të rritur çdo vit numrin e koduesve në Shqipëri për të bërë që mijëra të rinj në 4, 5 vitet e ardhshme dhe disa dhjetëra mijëra në këtë dekadë ku kemi hyrë të jenë kodues, dhe po marr një aspekt të botës digjitale, ne kemi vënë një bazë krejtësisht tjetër për Shqipërinë e nesërme, dhe që muzeu i Hoxhës të shërbejë këtë është realizimi me shumë sukses i një ambicie që sot merr rrugën e rijetëzimit në kthimin e këtij objekti të së shkuarës që për 30 vjet ka bërë hije këtu, në një simbol të Shqipërisë që duam nesër për të gjithë fëmijët tanë. Do të jenë një arsye shumë e fortë për të thënë që gjeografie është shumë e parëndësishme nëse mendja është e zhvilluar mjaftueshëm për të kapërcyer kufijtë. Dija dixhitale e shoqëruar me të gjitha dijet e tjera”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh ndër të tjera se projekti i Piramidës ka qenë një ndër më të vështirët për t’u realizuar për shkak se ka marrë shumë kohë.

“Shohim nisjen e zbatimit të një projekti që është mbase një nga projektet që ka marrë më shumë kohë për të marrë formën e tyre në gjithë tërësinë e projekteve që unë mbaj mend. Ky është projekti që në këndvështrimin tim ka qenë më i vështiri për të marrë formën e dëshiruar dhe për të jetësuar harmonizimin shumë të vështirë midis të shkuarës dhe të ardhmes përmes një ndërhyrje në të tashme. Godina u bë një objekt që patjetër duhej ruajtur, jo thjesht për historinë e saj sepse kjo do ishte gjëja më pak e rëndësishme në rast se godina vetë do ishte pa asnjë interes nga pikëpamja arkitektonike, por për formën e saj. Vitet më pas e lanë këtë godinë mu në mes të Tiranës në një proces degradimi, ku nuk u gjet mënyra se si kjo godinë të shërbente jo për qëllimin si u ndërtua, por për  qëllime të tjera. Piramida u kthye si një lloj simboli i tokës së “nxanun” në një bashkëpunim mes vetë shtetit dhe aktorëve të ndryshëm të sipërmarrjes. U kthye në një vend ku veprimtaritë nuk kishin lidhje me njëra tjetrën”, tha Rama.