Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë firmosur një marrëveshje së fundmi me të cilën angazhohen të aplikojnë modelin e ekonomisë qarkulluese në vend të asaj lineare.

Modeli rrethor i ekonomisë synon përdorimin e burimeve natyrore në bazë të proceseve të riciklimit të vazhdueshëm me qëllimin reduktimin në maksimum të mbetjeve, kundrejt modelit aktual linear ku burimet natyrore thjesht shfrytëzohen duke krijuar mbetje, të cilat gjejnë pak ripërdorim.

Axhenda globale e zhvillimit të qëndrueshëm synon se nëpërmjet modelit rrethor të ekonomisë të reduktoje sasinë e mbetjeve me mbi 46 për qind deri në vitin 2030, dhe në këtë mënyrë të ulë emetimet e karbonit.

“Ne angazhohemi për procesin e tranzicionit ekonomik nga linear në një ekonomi rrethore, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm për inovacionin që kërkohet për të mbështetur këtë tranzicion” thuhet në një deklaratë të përbashkët që liderit e Ballkanit firmosen pak ditë më parë në Sofje të Bullgarisë.

Me popullsinë globale që parashikohet të arrijë afërisht 9 miliardë njerëz deri në vitin 2030, kërkesat për përdorimin e burimeve janë më të larta se sa mund të sigurojë planeti. Kombet e Bashkuara kanë lajmëruar se, e ardhmja jonë varet nga ripërdorimi i asaj që kemi në një mënyrë të qëndrueshme dhe si zgjidhje shihet inovacioni i cili është një burim i pakufizuar.

Modeli i ekonomisë qarkulluese ka filluar të aplikohet në shumë vende dhe nga shumë kompani tashmë, teksa politikat globale po orientohen gjithnjë drejt saj.

Për shembull industria e tekstileve përdor sasi të mëdha uji dhe kimikatesh dhe prodhon sasi të mëdha mbetjesh toksike, e cila është një problem i madh në vende si Kina, India, Bangladeshi, Vietnami dhe Tajlanda. Por kompania holandeze DyeCoo ka zhvilluar një proces të ngjyrosjes së rrobave që nuk përdor fare ujë dhe asnjë kimikat përveç ngjyrave. Ai përdor dioksid karboni me presion të lartë, midis një lëngu dhe një gazi, që shpërndan bojën thellë në pëlhurë. Dioksidi i karbonit avullohet, dhe nga ana tjetër riciklohet dhe përdoret përsëri. 98% e bojës absorbohet nga copa dhe për shkak se copa nuk ka nevojë të thahet, procesi merr gjysmën e kohës, përdor më pak energji dhe madje kushton më pak. Kompania tashmë ka partneritet me marka të mëdha si Nike dhe IKEA. shumë kompani po zhvillojnë mënyra të zgjuara për të zvogëluar, ripërdorur dhe ricikluar.

Të tilla modele duhet të aplikohen edhe në Shqipëri. Disa të tilla po përqafohen nga industria e përpunimit. Dy vitet e fundit të brendshmet e kafshëve që më parë hidheshin në plehra tani shërbejnë si lëndë e parë për industrinë sallamit dhe eksportohen.

Mirëpo aplikimi i modelit rrethor të ekonomisë kërkon fonde të në dizpozicion për shkak se ky proces udhëhiqet nga novacioni. Pandemia Covid-19 rrezikon ktheje pas arritjet në këtë drejtim pasi një pjesë e mirë e fondeve që BE kishte ndarë për modelin e ri ekonomik kanë shkuar për politikat mbështetëse në kundër të pandemisë.