Nga Ilir Mborja

Kur më 6 shtator 2017 botova tek “Pamfleti” shkrimin me titull “Kush ia grisi “urdhër mbrojtjen” Fildes Hafisit?“, kritikën ia adresoja drejtpërdrejt Haki Çakos, që në atë kohë ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Nxitjen e mora nga një ngjarje e rëndë kur një gjyqtare, megjithëse me “Urdhër mbrojtje” u ekzekutua në mes të Tiranës me dy plumba nga ish bashkëshorti. Për këtë shprehja mendimin se ish bashkëshorti i saj, kur shkrepi pistoletën dy herë mbi të, ishte vetëm ekzekutori rastësor i saj. Sipas meje krimi kishte marrë krahë që kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, pasi u akuzua publikisht më 12 qershor 2017 nga Presidenti i zgjedhur i Republikës Ilir Meta si: “Haki Droga, një i përdorur nga trafikantët që nuk duhet të përdorë policinë për inskenime mafioze tipike të tij…”, me qëndrimin që mbajti ndaj kësaj akuze e pranoi plotësisht atë.  

 Madje, si për të mbyllur çdo alibi juridike se kujt Hakiu i drejtohej akuza shumë e rëndë, ishte vetë Haki Çako që iu përgjigj publikisht Presidentit me një deklaratë të gjatë. Duke shpjeguar detyrën e tij dhe të atyre që drejtonte në Policinë e Shtetit përgjatë fushatave elektorale, Haki Çako pranoi publikisht se, ai dhe asnjë Haki tjetër, ishte akuzuari nga Presidenti i zgjedhur i Republikës si: “Haki Droga”. Pas kësaj akuze publike të bërë nga figura më e lartë e shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, sipas meje, duhet të kishte vepruar në çast në mënyrë ligjore: Ose të kishte çuar në Prokurori kallëzimin për “shpifje për shkak të detyrës” ndaj atij që e akuzoi botërisht si “Haki Droga“, ose të jepte dorëheqje nga detyra e Drejtorit të Policisë së Shtetit. Ai nuk bëri as njërën dhe as tjetrën. D.m.th., nuk e pati për gjë, që në sytë e gjithë shqiptarëve u paraqit publikisht si i pazoti të mbrojë veten e tij nga akuza tejet e rëndë që i bëhej nga shtetari më i rëndësishëm i vendit.

Haki Çako nuk mendoi për asnjë çast ato ditë se marrëdhënia mes drejtësisë dhe ligjit u shkërmoq përfundimisht dhe se në ato kushte, krimi mori krahë. Ai vazhdoi të firmoste për të tërhequr rrogën në borderonë e shtetit me President Ilir Metën. 

Ky ishte thelbi i shkrimit në fjalë, që, për të thënë të vërtetën, atëherë kur e shkruaja, veç trajektores së tërthortë për deklaratën e papërgjegjshme të Presidentit Ilir Meta, për Haki Çakon dhe pas qëndrimit të tij nuk besoja se, veç një mungese dinjiteti, mund të kishte edhe ndonjë problem tjetër.  Kur e shkarkuan më 2018 nga shtypi mora vesh se shkak ishin bërë disa përgjime, por edhe për ato nuk pata kërshëri as t’i ndjek. Njerëzit pa dinjitet shpesh nuk janë të zgjuar dhe atëherë kujtova se mund ta kishte marrë në qafë naiviteti. Çuditërisht këtë përshtypje më krijoi atëherë Haki Çako. Atëherë, se sot kur merr vesh lajmin se Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako në këtë situatë emergjence të jashtëzakonshme ka marrë lejen e zakonshme, është e pamundur ta mendosh se ke të bësh me një njeri vetëm me mungesë dinjiteti. Kur vendi është përfshirë nga flakët, kreu i emergjencave civile në vend të fikte ato, vazhdon pushimet!!! 

Shqipëria digjet, kreu i emergjencave krihet!…

Këtë herë e kam vështirë të besoj si për herën e parë se e ka fikur naiviteti.

Naiv, apo…? Apo frikacak?… Nga se mund të ketë frikë vallë Drejtori i Emergjencave Civile? Nga kush? Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit?  Pse?

Megjithatë edhe naiviteti mund ta shtyjë dikë të fshihet ca ditë. Vetëm një naiv mendon se është po e njëjta kohë kur mund t’i fshiheshe kontrollit përjetësisht apo t’u vije zjarrin dokumenteve shtetërore. Vetëm një i tillë si ai “naivi” që e pranoi akuzën publike s’është fare çudi që në kohë pandemie mund të kujtojë se u bë deti kos dhe gjërat janë si atëherë kur Presidenti e thërriste “Haki Droga”. Sa naiv isha atëherë kur shkruaja për atë që ju tregova më lart dhe mendoja se mungesa e dinjitetit kishte lidhje vetëm me naivitetin e deri aty, te naiviteti, mbyllej historia e Haki Çakos.  

Veç frikës që mos e kapin si hajdut, për çfarë mund të të shkojë mendja tjetër kur njihesh me titullin e lajmit: “Bllokohet auditi i KLSH tek Emergjencat Civile.”

Ku e gjen guximin këtë radhë “trimi” i emergjencave t’i përgjigjet KLSH me gojën e specialistëve se “drejtori i emergjencave është me pushime dhe nuk mund të lejojnë askënd për të kontrolluar“?!  

A ka kush ndonjë përgjigje se përse emergjencat nuk po funksionojnë në këtë situatë zjarresh?  

Kryeministri Edi Rama a e mori vesh vallë që gazetarja Anila Hoxha komunikoi me kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, i cili e konfirmoi këtë situatë të pazakontë të të emëruarit të vet Haki Çako? Kush tjetër veç atij mund t’ia prishi vakancat ose ta nxjerrë në vakancë përgjithnjë prej zyrave të shtetit ku e ka futur zotin Çako? Kush veç KLSH e SPAK-ut mund të na e ndajë sot mëdyshjen se, kur Shqipëria digjet, kreu i emergjencave krihet, apo fshihet?