Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar sërish sot rreth deklaratës së Ramush Haradinajt, i cili tha se duhet një referendum për bashkim kombëtar. Vuçiç u shpreh sot se këto deklarata janë të papërgjegjshme dhe tha se kërkojnë “Shqipërinë e Madhe”.

“Në rajon, ne jemi ata që duhet të kujdesemi më së shumti. Ata të gjithë kanë të drejtë në deklarata të papërgjegjshme, të gjithë kanë të drejtë në sjellje të papërgjegjshme dhe le ta bëjnë atë në Sarajevë, Prishtinë dhe diku tjetër, ne nuk kemi të drejtë”, u shpreh ai.

Më tej ai thekson se Serbia duhet të ruajë paqen dhe se ajo do të përgjigjet në një mënyrë të zgjuar, me përparimin e mëtejshëm të ekonomisë, mbështetjen për serbët në Kosovë e bashkëpunimin në rajon.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve të tij që të mos kenë frikë nga këto deklarata, pasi Serbia është më e fortë se dikur.

“Le të thonë çfarë të duan, mos kini asnjë frikë, sepse Serbia është shumë më e fortë sot se dikur, në mënyrë që të mund të ulim tensionet dhe të shohim se vendi ynë po përparon”, përfundon Vuçiç.