Shqipëria nuk ia doli të marrë fitoren në transfertë me Kazakistanin, edhe pse kishte përballë një skuadër të dobët, që thuajse nuk e rrezikoi asnjëherë seriozisht portën e Etrit Berishës.

Paraqitje e dobët, pa forcë dhe pa ide, pa mundur që të dominonte një kundërshtar dukshëm inferior në cilësi. Me një lojë të vakët, ku vetëm disa episode për shënim, nuk mund të mjaftonin që kuqezinjtë të ktheheshin te suksesi, pas humbjes zhgënjyese në shtëpi me Lituaninë.

Raste të humbura nga kuqezinjtë, sidomos në fundin e takimit, me Brojën dhe Seferin, që në njëfarë mënyre e “falën” skuadrën vendase në të paktën dy-tri raste ideale. Dy pikë të humbura në këtë transfertë, që e bën edhe më të vështirë objektivin final: vendin e parë në grup.

Ndeshja

Shqipëria, sikurse pritej, u rreshtua me skemën 3-5-2, me Berishën në portë, Kumbulla, Gjimshiti e Dermaku në mbrojtje, Trashi e Veseli anësorë të mesfushës, me Baren, Abrashin e Kallakun në qendër, ndërsa në sulm dyshja Broja-Manaj.

Kuqezinjtë u shfaqën më të rrezikshëm në minutat e para, por ishin të pafat në minutën e 8-të, kur një këndore e ekzekutuar nga Trashi u përplas në këmbët e një mbrojtësi dhe e u stampua në traversë.

Në të 21-tën iu afruan golit vendasit, me topin e futur në qendër të zonës nga Kuat që u ndal në gjoksin e Etrit Berishës, për të përfunduar në fundore.

Kuqezinjtë e nisin pjesën e dytë me të njëjtin formacion me dëshirën për të patur kontroll territorial. Në të 60-tën tjetër moment i vështirë në portën e Kazakistanit, por topi u shpëtua thuajse në vijën fatale nga një mbrojtës kazak, pas parabolës së Brojës, që duhej të kishte qenë pak më e fortë për të përfunduar në rrjetë.

Sërish protagonist sulmuesi i Vitesses në minutën e 76-të, teksa nuk përfitoi si duhet nga gabimi i mbrojtjes vendase, duke goditur jashtë, rrafsh me tokën, megjithëse i kishte mundësitë të bënte shumë më mirë.

Shfaqet egoist pak çaste më vonë Broja, teksa në vend që të pasonte për Manajn, goditi jashtë. Reja hedh në fushë Seferin në vend të Manajt, ndërsa Memolla zëvendëson Trashin në minutën e 82-të. Dy minuta para fundit të kohës së rregullt, Tualant Seferi, i shërbyer nga Broja, ndalet nga portieri në mënyrë të pabesueshme.

Shqipëria tentoi gjithçka në minutat shtesë për të gjetur golin, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Me barazimin në Kazakistan, Shqipëria tregon se jo vetëm që ka harruar si fitohet, por se ka probleme të dukshme në lojë dhe në organizim. Nëse fitorja do të mungojë edhe në ndeshjen e 14 tetorit në Lituani, atëherë do të konfirmohet kriza e Kombëtares.