Një pjesë e madhe e bizneseve në Shqipëri më 2020 i siguruan 75-100 % te të ardhurave vjetore nga kontratat që kanë me qeverinë për punë dhe shërbime.

Shqipëria ka përqindjen më të madhe të bizneseve në Rajon që i sigurojnë të ardhurat në këtë mënyrë.

Sipas rezultateve të Anketës nga Barometri i Ballkanit që u publikua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), 17 % e bizneseve të anketuara në Shqipëri i sigurojnë shumicën ose të gjitha të ardhurat nga kontratat me qeverinë.

Në të kundërt në Rajon ka shumë pak biznese që e kanë të varur tërësisht në kontratat publike. P.sh. në Bosnje vetëm 6% e kompanive të anketuara sigurojnë 75-100 te të ardhurave nga kontratat publike, në Kosovë vetëm 1%, në Maqedoni 2%, në Malin e Zi 5% dhe në Serbi 6%.

Në përgjithësi të gjithë bizneset në Shqipëri dhe rajon sigurojnë një pjesë te të ardhurave të tyre nga prokurimet publike. Por në Shqipëri ndikimi i sektorit publik në të ardhurat e kompanive është më e lartë se në rajon, edhe pse Shqipëria ka buxhetin publik më të ulëtin në Rajon në % të PBB-së.

Shqipëria ka nivelin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave në rajon (përveç Kosovës), në rreth 26-27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 35-40% e PBB-së që është mesatarja e vendeve të tjera të rajonit.

Si rrjedhojë qeveria është e detyruar të shpenzojnë për administratën, punë publike, subvencionet e pensioneve, pagesat e borxheve etj, maksimumi 29-30% të PBB-së, në mënyrë që të ruajë parametrat e deficitit buxhetor. Ndërsa shtetet e tjera, duke mbledhur me shumë të ardhura kanë luksin që të hedhin më shumë para në ekonomi.

Varësia më e lartë ndaj fondeve të shtetit, u ka dhënë bizneseve më shumë garanci për aktivitetin e tyre gjatë vitit pandemik. I njëjti indeks tregoi se në vitin e pandemisë, rënia e besimit të kompanive shqiptare ishte më e moderuar dhe mbeti në nivelin e mesatares rajonale (46).

Më pesimistët ishin subjektet nga Kosova besimi i të cilëve u përgjysmua dhe ata nga Mali i Zi. Të dy këto vende shënuan dhe nivelin më të ulët të indeksit, në 44.

Monitor