Tregu i pagave në Shqipëri vitet e fundit ka filluar të vuajë nga fuqia e monopsonisë, me të cilën kompanitë e mëdha, ofruesit e mëdhenj të punësimit kanë rënë dakord të ofrojnë paga të ulta.

Fenomeni u vu në dukje për herë të parë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit për Shqipërinë.

Përqendrimi i tregut të punës në pak kompani redukton fuqinë negociuese të pagave të punëtorëve dhe mund të kontribuojë në rritjen e varfërisë dhe pabarazisë në fuqinë punëtore, vuri në dukje Fondi. Në Shqipëri, kompanitë e mëdha përfaqësojnë vetëm 1.4 për qind të numrit të përgjithshëm të bizneseve aktive në vend, por ata punësojnë 41.4 për qind të punëtorëve formalë dhe kontribuojnë më së shumti në rritjen neto të punësimit, gjë që sugjeron ekzistencën e fuqisë monopsonike në disa sektorë, theksoi Fondi.

Megjithë rritjen 15 për qind që aplikoi qeveria në pagën minimale në fillim të këtij viti duke çuar atë në 30 mijë lekë, sërish vendi ynë ka nivelin më të ulët të pagës minimale në rang europian, me përjashtim të Kosovës.

FMN u shpreh se rritja e pagës minimale deri në 40 mijë lekë e cenon vetëm pak konkurrencën, por rritja e mëtejshme sipër këtij kufiri duhet të shoqërohet me masa vendimtare për reduktimin e informalitetit.

Në dekadat e fundit janë rritur shqetësimet për dominimin e një grushti kompanish që kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut në një industri të caktuar. Kompanitë e mëdha kanë fuqinë të ndikojnë nivelin e çmimeve dhe do të ushtrojnë presion për të mbajtur paga të ulëta.

Nga ana tjetër fuqia e sindikatave jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë është dobësuar ndjeshëm prej hapjes së tregjeve të punës dhe transferimit të prodhimit nga vendet e zhvilluara në vende më pak më të zhvilluara.

Në vitin 2018, ekonomistët Alan Krueger dhe Eric Posner autorët e “Propozimi për Mbrojtjen e Punëtorëve me të ardhura të ulëta nga Monopsoni dhe marrëveshjet e fshehta” gjetën se marrëveshjet e fshehta të tregut të punës ose monopsonizimi mund të kontribuojnë në mbajtjen e pagave në vendnumëro dhe kjo ndikon rritjen e pabarazisë.

Ata propozuan një sërë reformash për të mbrojtur punëtorët dhe për të forcuar tregun e punës. Këto reforma përfshijnë detyrimin e qeverive për të siguruar një kontroll të zgjeruar të shkrirjeve për efektet e pafavorshme të tregut të punës, ndalimin e marrëveshjeve jo-konkurruese që i lidhin punëtorët me paga të ulëta dhe ndalimin e marrëveshjeve për të fiksuar pagat e ulëta.

/Burimi: Revista Monitor