Shqiptarët po tentojnë të blejnë gjysmën e Venecias. Për interes të tyre, apo për llogari të të tjerëve apo për të pastruar paratë e pista, ende nuk është e qartë. Por rritja e kërkesës së shqiptarëve që duan të blejnë hotele e restorante në qendrën historike të Venecias preokupon institucionet, turizmin lokal, sipërmarrësit vendas e qytetarët.

Mbi këtë fakt po hetojnë autoritetet kompetente për të kuptuar nëse pas kërkesës së lartë të shqiptarëve që duan të blejnë restorantet e lokalet e tyre fshihen investime kapitalesh me prejardhje të dyshimtë ose riciklim ndërkombëtar parash.

Alarmi është përcjellë për mediat italiane nga Federata e sipërmarrësve venecianë e presidenti i saj Roberto Magliocco i cili shprehet se “çdo ditë në Venecia po mbyllen lokale, restorante e hotele duke transformuar qendrën e saj historike. E kjo është vetëm njëra faqe e medaljes, thotë ai, faqja tjetër është se të tjerë e kryesisht shqiptarë po tentojnë të blejnë bizneset e tyre.”

Mungesa e turistëve, shkaktuar nga pandemia globale, fatkeqësitë natyrore si përmbytjet që muaj më parë dëmtuan seriozisht qytetin, kanë çuar në vështirësi ekonomike mjaft sipërmarrës venecianë.

Pas muajsh mbyllje të detyruar të aktivitetit, mjaft prej tyre kanë vënë në shitje bizneset e tyre apo janë kontaktuar kryesisht nga shqiptarë që ofrohen si blerës të mundshëm duke ofruar çmime mjaft të lira. Gjatë muajve të fundit në qendrën historike të qytetit është shtuar numri i restoranteve e hoteleve në shitje.

Për median lokale “Il Gazzetino”, kryetari i Federatës së sipërmarrësve venecianë, Roberto Magliocco thotë se “as mos mendoni se blerësit që janë ofruar janë kinezë apo rusë. Por janë shqiptarë e sidomos kërkojmë të blejnë në sektorin e hotelerisë. Nuk dihet nëse e bëjnë për interes personal, o në emër të dikujt tjetër që nuk kërkon të shfaqet. Fakt është që mbi këtë turbullësirë po hetojnë autoritetet kompetente për të kuptuar nëse pas tyre janë investime kapitalesh me prejardhje të dyshimtë o prova të riciklimit ndërkombëtar.”

Në Venecia jetojnë rreth 1700 shqiptarë, që për nga numri renditen të katërtit mes komuniteteve të huaja e duke përbërë 4.3 % të shifrës totale të emigrantëve në këtë qytet.

Ndërsa sipërmarrës shqiptarë në këtë territor janë rreth 360, të tretët në numër pas atyre kinezë e rumunë.