“Shumë prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar janë në radhë për fshesën e vetingut”. Kështu deklaroi  kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë kur u pyet për aksionin e qeverisë në lidhje me shtesat pa leje. Sipas kreut të qeverisë, subjektet janë dorëzuar pasi nuk shohin më rrugë shpëtimi, pasi fuqia e prokurorit dhe gjykatësit të korruptuar ka mbaruar. Rama theksoi se subjektet ose do t’i dhurojnë me vullnet të lirë ose t’i parablejnë me një çmim që e bën krejtësisht të paarsyeshme ndërtimin e mëtejshëm të metrave katrorë, ose do i konfiskohen në të gjitha rastet, nuk përjashtohet procesi me drejtësinë dhe duhet të paguajnë edhe gjobën.

“Jam i keqardhur dhe i mishëroj të gjithë ata që i bien fyellit në një vrimë që s’ka asnjë lidhje me thelbin dhe rezultatin e kësaj nisme. Këtë problematikë nuk e ngriti as politika e as media, as drejtësia. Këtë problematikë e ngritëm ne për një arsye shumë të thjeshtë; sepse asnjë nga ata që ndërtojnë m2 për qëllime fitimi nuk na mban dot lidhur me asgjë, kjo masë rrëzon mitin e pazareve dhe legjendat urbane të fshehjes sime apo tonë prapa kullave dhe pallateve. Se po të ishte kështu, as ju nuk do të kishit marrë vesh gjë, dhe drejtësia që duhet të veprojë në nivelin e prokurorive të rretheve do të kishte vazhduar të bënte atë që ka bërë. Arsyeja pse ne i jemi futur vetë për të ekzekutuar këtë vendim dhe rezultatet do t’i shikoni ditë pas dite se po dorëzohen subjektet se e shikojë që nuk kanë rrugë shpëtimi dhe nuk e gjejnë dot më te prokurori dorën e shtrirë për të marrë bakshishin e radhës për të mbyllur çështjen, është pikërisht kjo. Dhe atyre që thonë se i këta keni vënë vetë merrini mbrapsht fjalët se ne kemi bërë reformë për të pastruar prokurorët e gjykatës së korruptuar dhe shumë prej tyre janë në radhë për të hyrë në fshesën e vetingut. Fuqia e tyre tani u ka mbaruar se subjektet ose do ti dhurojnë me vullnet të lirë ose t’i para blejnë me një çmim që e bën krejtësisht të paarsyeshme ndërtimin e mëtejshëm të metrave katrorë ose do i konfiskohen në të gjitha rastet nuk përjashtohet procesi me drjetësinë dhe duhet të paguajnë edhe gjobën”.

Sipas Ramës, kjo masë i jep fund një historie shumëvjeçare, ndërsa shtegun e hapur të drejtësisë do ta mbyllë reforma.

“Kjo masë i jep fund një historie shumëvjeçare. Këto m2 për qëllime fitimi janë dhjetëfish më pak se kur ne nuk ishim këtu, por kjo është një betejë që nuk fitohet brenda një viti se do ta fitonin dhe shtete të tjera, si Italia, Spanja e Portugalia e Greqia, të gjitha shtete në Mesdhe kanë pasur një problematikë të tillë. Ky është një mjet i ri që ne e përdorim që ka dalë duke parë se çfarë shtegu ka mbetur hapur. Shtegun e hapur të drejtësisë nuk e mbyllim dot, por do ta mbyllë reforma”.

Sa i takon çmimit ai tha: “Bëhet fjalë për çmimin e  tregut jo të deklaruar plus një koeficient dhe kjo varion nga zona në zonë se edhe çmimi varion se këto janë të përcaktuara”.