Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Komiteti i Ekspertëve do të mblidhet nesër dhe do të marrë masa të tjera shtrënguese. Megjithatë, kryeministri u bëri thirrje edhe njëherë tjetër qytetarëve që të zbatojnë të gjitha protokollet e publikuara nga autoritetet përkatëse në luftën ndaj koronavirusit. Në të kundërt, tha ai, nuk kanë asnjë vlerë edhe shtrëngimet e reja.

“Do të ketë një shtrëngim të masave. Komiteti i Ekspertëve do të mblidhet nesër do të diskutojnë. E kemi diskutuar. Por ata thonë se nëse respektohen masat kanë efekt”, tha Rama.

Më tej për sa i përket një mbyllje tjetër të vendit, kreu i qeverisë tha se kjo nuk është zgjidhje.

“Pse u mbyllëm atëherë dhe nuk mbyllemi sot se ka zgjedhje, unë nuk e di si mund të ketë lidhje. Çështja e numrit të infektimeve është trajtuar që në ditën 1. Është thënë që nuk mund të shmanget infektimi. Masat janë për të mbajtur nën kontroll. Infektimet do të vijojnë deri kur të mbarojë vaksinimi”, u shpreh ai.