“Kisha dhimbje të fundit të barkut dhe nevojën për urinim të shpeshtë. Për shumë kohë u mjekova për infeksion urinar, pa e ditur se isha e infektuar nga gonorrea.”

Kështu e nis rrëfimin e saj Suela, një grua 33 vjeçare, e cila vëren se vetëm prej pak kohësh, kur disa mjekime të njëpasnjëshme nuk po jepnin rezultat, ka zbuluar se është e infektuar nga gonorrea.

Megjithatë ngjan se edhe mjekimi i marrë së fundi nuk ka dhënë rezultatin e pritshëm.

“Mjeku më trajtoi për 10 ditë me ciprofloxacin, por përmirësimet nuk janë të dukshme as pas trajtimit.”, shprehet ajo, ndërsa mendon se një ndër arsyet që mund të ketë çuar në vështirësi të mjekimit mund të jetë edhe kapja me vonesë e shkaktarit të sëmundjes.

Megjithatë, problemi i saj mund të jetë më i gjerë dhe mund të lidhet pikërisht me përdorimin e antibiotikëve.

Nëse 2020-a ishte viti i COVID-19, 2021 mund të jetë një tjetër vit i vështirë për shkak të një sëmundjeje të re, që duket se po shfaqet: “super gonorrhea”, shfaqja e së cilës po favorizohet nga COVID-19.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një formë mutante e kësaj sëmundjeje seksualisht të transmetueshme po përhapet në të gjithë botën, pjesërisht për shkak të pandemisë, e cila ka  bërë që njerëzit të marrin më shumë ilaçe dhe antibiotikë dhe nga ana tjetër ka kufizuar edhe aksesin e tyre në kujdesin shëndetësor .

“Përdorimi i tepërt i antibiotikëve në komunitet ndikon së shumti në rezistencës antimikrobike të gonorresë. Azitromicina, një antibiotik i zakonshëm për trajtimin e infeksioneve të frymëmarrjes është përdorur më herët gjatë periudhës së epidemisë për trajtimin e Covid-19.”, – vërejnë specialistët e shëndetit.

Sipas specialistëve situata e pademisë ka sjellë një shtim të SST-ve, pasi shumë shërbime u ndërprenë gjatë pjesës së parë të 2020-ës dhe për shkak të kësaj shumë njerëz nuk janë diagnostikuar dhe nuk janë trajtuar, gjë që mund të ketë çuar në përhapjen e asaj që e cilësojnë si “super gonorre”.

Ndërsa ka dhe nga ata mjekë që mendojnë, se përveç ndonjë sëmundjeje të veçantë, sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST) nuk janë rritur në incidencë.

“Sëmundshmëria dhe përhapja e një infeksioni seksualisht të transmetueshëm varet nga disa faktorë: Sa i transmetueshëm është vetë lloji i infeksionit SST, shkallla e “ndërrimit” të partnerëve seksualë dhe kohëzgjatja e vetë periudhës ‘ngjitëse’”, – shprehet për gazetën “Si”, mjeku gjinekolog, Elton Peçi.

Sipas tij, ndërkohë që faktori i parë është diçka që nuk ndryshon pasi lidhet me llojin e SST, dy fatorët e tjerë kanë pësuar ndryshim në kohën e pandemisë.

“Kufizimet e pandemisë (distancimi social apo edhe një farë izolimi) kanë bërë që shkalla e “ndërrimit” të partnerëve seksualë të jetë më e reduktuar. Kjo mund të jetë edhe një nga arsyet se përse në disa raste janë raportuar edhe reduktim të numrit të SST (të paktën për rastet jo akute).

Megjithatë ende nuk ka shumë përfundime të qarta në këtë drejtim, pasi pandemia ka ndryshuar edhe mënyrën e raportimit të këtyre SST.”, – thotë ai.

Peçi pohon megjithatë se “në shumë vende, për shembull në USA, për shkak të kufizimeve në systemin e shëndetësisë, shumë qendra të trajtimit të SST janë mbyllur ose punojnë me orar të reduktuar, duke sjellë kështu edhe një raportim më të vogël të rasteve.”

Në ditët e para të shfaqjes së koronavirusit, mjekët dhe spitalet jepnin përmes recetave për pacientët azitromicinë, duke menduar se ky antibiotic mund të ndihmonte në largimin e problemeve të shkaktuara nga COVID, pavarësisht se kohët e fundit ky antibiotik nuk rekomandohet pasi rezultoi në rastet më të shumta si joefektiv.

REZISTENCA E GONORRESË

Prej kohësh është dhënë alarmi se forma e zakonshme e gonorresë është bërë më e fortë dhe më rezistente ndaj antibiotikëve, që normalisht duhej ta kuronin, si përshembull azitromicina.

Por problem nuk është vetëm këtu:  infektimi me gonorre, rrit mundësinë për t’u infektuar me HIV me të paktën pesë herë.

Përballë një problemi në rritje me SST dhe veçanërisht “gonorrenë” dhe formën e sj të re, zgjidhja nuk është e lehtë.

Sipas ekspertëve mjekësorë duhet të shihet mundësia e trajtimeve të reja të sëmundjes dhe marrja e më pak antibiotikëve dhe nëse është e mundur, më shumë mbrojtje gjatë seksit.

ÇFARË ËSHTË GONORREA?

Gonorrea është  infeksion bakterial që shkaktohet nga Neisseria gonorrhea. Bakteri infekton uretrën e burrave dhe grave, sikurse edhe një sërë gjendrash gjenitale, të tilla, si: gjendrën e Tajsonit tek burrat dhe gjendrën e Bartolinit tek gratë, kanalin cervikal uterin, tubat, rektumin, konjuktivën e syrit, gojën dhe faringun.

Gonorrea transmetohet zakonisht përmes seksit nga goja, vagina dhe anusi, por ky infeksion mund të transmetohet edhe nëse nuk ka shkëmbim të lëngjeve trupore.

Gonorrea mund të kalojë edhe nga nëna tek fëmija gjatë momentit të lindjes, kur fëmija kalon nëpër kanalin e lindjes.

SIMPTOMAT

Te femrat gonorrea fillon shpesh në mënyrë asimptomatike sepse bakteri lokalizohet në qafën e mitrës. Prandaj është e mundur që një grua t’ia transmetojë infeksionin partnerit pa qenë e vetëdijshme. Në disa raste sëmundja manifestohet me dhimbje gjatë raporteve seksuale dhe sekrecione purulente nga kanali i qafës së mitrës.

Ndërsa te burrat, pas një periudhe të ndryshueshme të inkubacioni (nga disa ditë deri në dy javë) manifestimet klinike janë shumë më të dukshme, sepse mikroorganizmi lokalizohet në daljen e jashtme të uretrës, ku edhe përhapet. Simptomat janë kruarje, ndjesi djegieje, skuqje, ënjtje dhe sekrecion uretral myko-purulent me ngjyrë të verdhë në jeshile.

Këto shoqërohen me një emetim të urinës me ndërprerje, ereksion, dhimbje, që shtohet gjatë nxjerrjes, dobësi e përgjithshme fizike dhe temperaturë. Nëse infeksioni lihet pas dorë mund të përhapet në organet e afërta, në gjendrat e lidhura me mitrën, prostatën dhe fshikëz, për t’u bërë më pas kronike. Komplikacionet e lidhura me progresionin rritës të infeksionit janë: prostatitis, e cila çon në pezmatimin e zonës peri-anale; epididimitis me dhimbje, enjtje në testikul dhe sterilitet.

Te gratë gonorrea mund të çojë në infeksion të zgavrës së mitrës dhe të gypave uterine, enjtje të gjëndrave të Bartolinit dhe të buzë të mëdha, salpingjit që mund të shkaktojë sterilitet.

TERAPIA

Gonorrea mund të parandalohet duke shmangur raportet seksuale rastësore të pambrojtura. Kurohet me administrimin e antibiotikëve edhe pse zhvillimi i formave rezistente ndaj penicilinës, tetraciklinës dhe cefalosporinës, ka reduktuar efikasitetin e terapive.