Është shtyrë me dy ditë takimi i paralajmëruar për dy shtator ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Burimet e “Zërit të Amerikës” nuk dhanë ndonjë hollësi për arsyet e shtyrjes së takimit, mikpritës i të cilit do të jetë këshilltari për Siguri Kombëtare Robert O’Brien së bashku me ambasadorin Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidenti Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Zyra e zotit O’Brien tha më herët se Shtetet e Bashkuara presin me padurim për këto diskutime të rëndësishme me presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Avdullah Hoti dhe besojnë që përparimi ekonomik është thelbësor për çuarjen përpara të procesit të paqes.

Në Kosovë udhëheqësit e institucioneve e kanë mirëpritur angazhimin amerikan për mbajtjen e takimit në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministri Avdullah Hoti shkroi më herët se në takim do të diskutohet “për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik, që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”.

Njoftimi u mirëprit edhe në Beograd, ku presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se fakti që do të bisedohet për çështje ekonomike është gjë e mirë për Serbinë dhe rajonin. Megjithatë, ai tha të premten se temat e diskutimit shtrohen nga mikpritësit dhe nuk e përjashton mundësinë që përveç çështjeve ekonomike të diskutohet edhe për ato politike. Ai ritheksoi se nuk mund të ketë bisedime për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte planifikuar fillimisht për 27 qershor, por planet dështuan për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike Kadri Veselit, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Më 16 korrik kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç zhvilluan takimin e parë pas 20 muajsh të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Të dy udhëheqësit diskutuan për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës, zhvillimin ekonomik dhe me pajtimin që të vazhdojnë bisedimet më 7 shtator.