Dom Gjergj Simoni nuk jeton më. Një ndër dëshmitarët dhe bashkëvuajtësit me martirët gjatë kohës së komunizmit u shua në moshën 89-vjeçare.

Dom Gjergj Simoni ishte i fundit ndër meshtarë, dëshmitar i asaj që kaluan në burgjet famëkeqe të regjimit komunist klerikët shqiptarë.

Edhe ai vetë vuajti burgun, ndërsa si dëshmi la dhjetëra botime e intervista mbi atë periudhë të errët. Në vitin 1991 ishte ndër të parët meshtarë që u shugurua nga Selia e Shenjtë, ku nisi të bëjë shërbimin në disa famulli.

Don Gjergj Simoni lindi me 8 Dhjetor, 1933 në qytetin e Shkodrës.

Njoftimi i Famullisë së Dajçit

Të dashtun, sot me datë 28 Janar 2022, kaloi n’Amshim, Dom Gjergj Simoni, një ndër dëshmitarët dhe bashkëvuajtësit me martirët tanë gjatë kohës së komunizmit.

Dom Gjergji ka shërbyer për 17 vjet në famullinë e Dajçit. Ka pasur kohët më të vështira të hapjes së kishave. Kontributi i tij mbetet i pashlyer në mendjet e besimtarëve dhe në veprat që ka lëne në rimëkëmbjen e jetës shpirtërore!

Pushosh n’Lumninë e Krishtit, të cilit ia kushtove gjithë jetën tënde, i dashtun Dom Gjergj, vazhdo e lutu për ne e për kishën në Shqipëri.