Egjipti po kërkon 900 milion dollarë dëmshpërblim pas bllokimit të Kanalit Suez në fund të marsit, ndërkohë që anija kontejner  e cila e shkaktoi atë u sekuestrua, njoftoi e përditshmja qeveritare Al-Ahram.

Kreu i Autoritetit të Kanalit të Suezit (SCA) tha në televizionin shtetëror se “negociatat” janë duke u zhvilluar për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga Ever Given, i cili ngeci në kanal dhe paralizoi trafikun në një rrugë kryesore detare.

Egjipti pretendon se nuk bëri një gabim në atë incident, ndaj dhe e zhvendos përgjegjësinë te anija.

“Negociatat po vazhdojnë, ka ende shumë pika të paqëndrueshme me kompaninë dhe sigurimin, duke filluar me shumën,” tha Admirali Osama Rabie.

Një burim nga SCA konfirmoi për France Press se negociatat janë duke u zhvilluar me kompaninë japoneze Shoei Kisen, e cila zotëron anijen, dhe me kompanitë e sigurimeve.

Al-Ahram raportoi të martën se admirali tha se vendi i tij po kërkonte 900 milion dollarë.

“Anija panameze Ever Given u sekuestrua për shkak të mospagimit të 900 milion dollarëve sipas vendimit të Gjykatës Tregtare të Ismailisë”, tha ai.

I njëjti burim shprehet se kjo shumë korrespondon me “humbjet e shkaktuara nga anija për autoritetet dhe tërheqjen dhe mirëmbajtjen e saj”.

Trafiku në kanal, i cili mbart më shumë se 10 përqind të tregtisë botërore, rifilloi në 29 mars pasi anija u zhbllokua me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë.

SCA deklaron se Egjipti humbi mes 12 dhe 15 milion dollarë në ditë gjatë incidentit.