Vlerësimin që iu bë në New York nga Hillary Clinton për strehimin e afganëve, kryeministri Edi Rama e cilësoi të jashtëzakonshëm. Megjithatë, batutat me humor për të pranishmit në ceremoninë e marrjes së çmimit, kryeministri shqiptar nuk i kurseu. I tillë ishte edhe momenti kur komentoi vendimin e NATO-s, për t’u tërhequr nga Afganistani pas 20 vitesh. Ai tha se nuk ishte vendim i tij, duke shtuar se “të jesh Kryeministri i Shqipërisë në NATO është punë goxha e lehtë, sepse nuk të takon ty t’i marrësh vendimet”. Më pas vijoi dhe tregoi momentin ku i kishin thënë se Hillary Clinton kishte nevojë për ndihmën e tij. Të gjitha këto momente u shoqëruan me të qeshura nga të pranishmit.

“Sigurisht, ky nuk ishte vendimi im. Unë e them përherë se të jesh Kryeministri i Shqipërisë në NATO është punë goxha e lehtë, sepse nuk të takon ty t’i marrësh vendimet. Por gjithsesi, m’u duk mjaft e çuditshme që askujt nuk po i shkonte mendja tek këta njerëz. Më pas, në gusht, kur situata nisi të vështirësohej, dikush erdhi në Shqipëri e më tha: “Sekretares Klinton i duhet ndihma jote”. Ia ktheva: “Si është e mundur? As në ëndërr s’e kam parë!” “E kam seriozisht!”, vazhdoi ai. Pastaj ai, se ishte një “ai”, meqë ra fjala më tregon për Vital Voice e gjithë të tjerat dhe unë i them: “Në rregull, le ta bëjmë”. “Si?”, thotë.

“Ta bëjmë, t’i marrim këto gra”.

Më thotë: “A do që të të marrë në telefon Sekretarja Klinton?”

“Jo i them, le ta bëjmë, pastaj, nëse do të kujtohet më për këtë, le të më marrë në telefon.” E di, meqë ra llafi, se është shumë amerikane… të paparë kur vjen puna për të të joshur e, pastaj, kur mbarojnë punë të thonë: “Më fal kush je?”

Megjithatë nuk ishte ky rasti dhe ajo më telefonoi. Kur të gjitha gratë në listë ishin shpëtuar e vendosur në Shqipëri, më telefonoi dhe sigurisht ishte nder shumë i madh sepse duhet ta dini që nëse quhesh Klinton në Shqipëri apo mes shqiptarëve, kjo është diçka shumë speciale që lidhet me çlirimin e gjysmës së kombit tonë, Kosovës. E meqë ra fjala, është i vetmi vend mbi këtë tokë, ku sot ka njerëz, djem, që e kanë emrin Klinton – emrin, jo mbiemrin. Madje ka edhe djem që quhen Billklinton. Kështu e kanë thjesht emrin, si të themi, Billklinton Rama dhe të gjithë këta djem që sot janë rritur, ishin bebe të sapolindura në kohën kur falë Presidentit Klinton, Zonjës së Parë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara asokohe, ai popull u çlirua nga një regjim, i cili u përpoq ta spastronte etnikisht që të gjithin.

E pra thelbi është që ne e bëmë këtë sepse mendoj se edhe si vend anëtar i NATO-s po ashtu, na takonte ta bënim. Ne jemi një vend i vogël, nuk mund të ndryshojmë fatet e asnjë lufte dhe shkojmë në luftë kur e vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ama nëse nuk gjendemi as kur bëhet fjalë për të shpëtuar njerëz pa bërë sidoqoftë akte heroike si ato që gratë e burrat e vjetër përpara nesh bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore pse duhet të jemi anëtarë të NATO-s dhe ç’vlerë kemi fundja në këtë botë?!”.