Gjykata e Tiranës pushoi të hënën akuzën për 5 nga 6 personat e dyshuar për transportin e 3,4 milionë eurove në dy makinat tip ‘Toyota Yaris’ që u sekuestruan nga policia mbrëmjen e 24 qershorit 2018, në portin e Durrësit.

Makinat u gjetën në një karoatrec në tragetin që vinte nga Bari në Durrës.

Ngjarja menjëherë u kthye në debat politik. Sepse, dy vjet më parë, Basha e paralajmëroi ngjarjen (gjatë një seance parlamentare) nisur nga disa fakte apo prova që ai dispononte.

Pas sekuestrimit të eurove, Basha akuzoi se paratë vinin nga një prej bandave më të rrezikshme të trafikut të drogës, aktive, kryesisht në zonën e Elbasanit. Basha kishte edhe një emër, Taulant Balla.

Sipas Bashës, “Taulant Balla kishte garantuar hyrjen pa problem të parave në Shqipëri dhe se Policia shqiptare kishte qenë nën presionin e një prej partnerëve të huaj për të vepruar”.

Balla në anën tjetër e akuzoi Bashën jo vetëm për nxjerrje të sekretit hetimor, por edhe për shpifje ndaj tij ndërsa rrugës u akuzuan edhe emra të tjerë deputetësh të PS.

Në tetor të 2018, pasi u thirr për të dëshmuar lidhur me hetimin e nisur ndaj tij për nxjerrje të sekretit shtetëror për çështjen e “Toyota Yaris”-it, Basha tha se krahas Taulant Ballës ishin përfshirë edhe dy deputetë të tjerë të PS-së, Ulsi Manja dhe Jurgis Çyrbja.

Deklarata e Bashës që u pasua edhe me disa konferenca për shtyp nga zyrtarët më të lartë demokratë, përfundoi në gjyq.

Balla paditi Bashën për shpifje ndaj tij.

Pas disa seancash gjyqësore, ku avokatët e Lulzim Bashës nuk pranuan të jepnin burimin e informacionit, gjykata e Tiranës, në janar të një viti më parë dënoi për shpifje me 50 mijë lekë gjobë kreun e PD-së Lulzim Basha.

Për nxjerrje të sekretit hetimor, për të njëjtën çështje, (korrik 2019) Basha u paraqit edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

PS akuzoi Bashën se kishte shpifur rreth kësaj ngjarje dhe se ai mund të merrej i pandehur për deklaratë të rreme.

Se çfarë u bë me dëshmitë, askush nuk di gjë publikisht.

Ajo që dihet është se, kjo çështje më tej pak u përfshi në fokusin e debatit politik, kryesisht nga Partisë Demokratike, (një tjetër çështje mbizotëroi, ajo e “Babales”) deri sa mbërritëm tek një vendim konkret i Gjykatës së Shkallës së Parë, ku pushohet akuza “për mosdeklarimin e të ardhurave në kufi” për 5 nga 6 të dyshuarit.