Nga Ilir Mborja

I nderuar z. Jean – Yves Le Borgne!
Unë që po Ju drejtohem jam nga Shqipëria. Në një konferencë shtypi të ish Presidentit dhe ish Kryeministrit tim z. Sali Berisha në Tiranë, mësova se Ju ka përzgjedhur pikërisht Ju si avokat mbrojtës për një padi kundër zotit Antony Blinken, Sekretar i Departamentit të Shtetit. Me sa kuptova, gjyqi nga z. Sali Berisha do të ngrihet (gjithnjë nëse vërtetë do të ngrihet) për të vendosur në vend, siç tha ai, “dinjitetin e cenuar” të tij për vendimin që ndalon hyrjen e tij në SHBA… Në të vërtetë, ajo deklaratë e DASH që e shpalli “non grata” në SHBA z. Sali Berisha cenoi tërthorazi edhe dinjitetin tim si shtetas shqiptar. Kjo është arsyeja se përse vendosa të marr guximin t’Ju shkruaj.

Për historinë dhe mentalitetin tonë mbase nuk keni njohuri, por, për pozicionin gjeografik, Ju patjetër që keni dijeni të mjaftueshme se vendi im Shqipëria ndodhet ashtu si edhe Franca në Evropë dhe, tamam, tamam, në Jug – Perëndim të gadishullit të Ballkanit. Megjithëse jetojmë në të njëjtin kontinent, madje jo edhe aq larg, Ju siguroj se, për shumë arsye, kryesisht të fateve të ndryshme historike, vendet tona nuk ngjajnë shumë me njëri tjetrin. As për nga niveli ekonomik dhe as social kulturor.

Në konferencën e shtypit, ku mësuam për emrin Tuaj të nderuar, pyetjes së gazetarëve se kush do ta paguajë dhe sa do të kushtojë puna Juaj, Z. Berisha iu shmang dy herë duke mos iu përgjigjur… Dhe për këtë Ju mund të thoni se mirë bëri.
Askush nuk është i detyruar të dëshmojë në një konferencë shtypi se sa kushton puna e një avokati dhe sa para do t’i japë atij. Sipas mendimit tim modest, gazetarët duhet të gjejnë rrugë të tjera për të investiguar e verifikuar dyshimet për pasurinë e pajustifikuar të dikujt, qoftë edhe të një ish shtetari të lartë si z. Sali Berisha. Por kjo nuk vlen shumë në Shqipërinë e drejtuar (grabitur më mirë të themi) nga pushtetarë të sojit të klientit Tuaj…

I nderuar z. Jean – Yves Le Borgne!
Ne shqiptarët kemi krijuar një perceptim tonin për drejtësinë që derivon nga mungesa e saj në vite në vendin tonë.
Nuk e di për në Francë, por tek ne, shpesh, madje shumë shpesh, ka ndodhur që një gjyq, nuk e fiton ai që ka të drejtë, por ai që ka avokatin më të paguar. Prandaj, do t’Ju lutesha mos i bëni shumë me faj gazetarët tanë që këmbëngulën asisoj në konferencën e shtypit për të marrë vesh nga klienti Juaj z. Sali Berisha për vlerën monetare të hakut të punës Suaj!…

Nëse ato para janë shumë (siç flitet një milion euro vetëm për të hapur gjyqin(!!!)) dyshoj se aty brenda janë edhe ato që më janë vjedhur mua në vite nga shtetarët e sojit të klientit Tuaj…
I nderuar z. Avokat!
Shqipëria ime është e varfër, madje shumë e varfër. Aq shumë, sa Ju nuk mund ta merrni me mend.

Ju siguroj se vendi im rezulton sot më i varfëri në Evropë, jo se nuk ka mundur të ushqejë të varfrit, por se nuk ka mundur dot të ngopë të pasurit, si klienti Juaj dhe familja e tij.
Ju, për ç’ka them më sipër, sigurisht që doni prova, ashtu si klienti Juaj kërkon “prova” nga DASH që “nuk është i korruptuar”. T’Ju them të drejtën, unë nuk di se ç’prova kanë amerikanët, por për mua, një provë që klienti Juaj është hajdut (ose i korruptuar siç thonë amerikanët) e dëshmon vetë mundësia që ai mund të përballojë(!!!) çmimin e lartë që Ju keni si avokat… Dhe, meqë jemi tek amerikanët, dëgjojeni edhe një fjalë të urtë të atyre që akuzoni: “Sipër tenxheres së qumështit të derdhur nuk qahet!”…
Me nderime të epërme Ilir Mborja.