Bashkia e Tiranës ka vendosur përshpejtimin e Rindërtimit te 5 Maji dhe në Kombinat, pra edhe prishjen e banesave, duke nxjerrë banorët në rrugë. Por asnjë fond nuk është dhënë për bonuset e qerave.

Banorët e këtyre dy zonave (5 Maji dhe Kombinat, por edhe Lapraka ku do të ndërtohet Unaza e Madhe) pas shembjes së shtëpive të tyre janë të detyruar të jetojnë me qera.

Ironia qëndron se bonusi i qerasë është vetëm 18 mijë lekë të reja, ku është e qartë që kjo shumë është e pamjaftueshme po t’i krahasosh me çmimet që ofron tregu sot. Qeraja më e lirë në Tiranë për një apartament 1+1 është 300 euro, ndërsa për apartamente edhe më të mëdhenj, edhe goxha më e shtrenjtë.

Të përballuar me ankesat e banorëve, njësitë bashkiake në Tiranë kanë shprehur mirëkuptim për ankesat e qytetarëve, pasi janë të qartë për çmimet e qerave në Tiranë, e në këtë mënyrë ngrenë duart lart, duke i lënë banorët pa asnjë zgjidhje.

Pra, një familjeje, veç prishjes së shtëpisë, tashmë nis edhe sfida e gjetjes së një shtëpie me aq lekë sa u ka caktuar shteti, e ndërsa duhet të jetojnë me qera diku tjetër në kryeqytet, duke harxhuar të gjitha të ardhurat për qeratë dhe në këtë mënyrë nuk do të plotësojnë dot kërkesat më bazike të jetës.

Ndërkohë, protesta e banorëve të Laprakës ka nisur më 2 tetor, e që prej asaj ditë të gjithë dalin e bllokojnë rrugën, ndërsa të njëjtën rrugë do të ndjekin edhe banorët e 5 Majit dhe të Kombinatit.