Skena të turpshme janë parë në stadiumin e Leicester ku vendasit luajtën ndaj Napolit në ndeshjen e vlefshme për grupet e Europa League. Tifozët italianë të Napolit u përleshën me ata të Leicester, ndërsa ndërhynë edhe forcat e sigurisë në stadium.

Tensionet u rritën mes dy grupeve të tifozëve pas përfundimit të takimit, i cili u mbyll në barazim 2-2. Një kordon me forca policie u vendos menjëherë mes tifozërive, por sërish përplasjet vijuan për disa sekonda në stadiumin “King Power”. Tifozët kaluan barrierat ndarëse dhe më pas nisën të hedhin shishe plastike e objekte të tjera ndaj rivalëve.

Megjithatë, tensioni dhe përplasjet kanë nisur shumë më herët. Daily Mail shkruan tifozët e Leicester dhe me dhjetëra fansa italianë janë përleshur edhe para nisjes së ndeshjes.