Prirja e votës në Tiranë, PD gëzon rritje, ngushton diferencën me PS-në. Basha më popullor se Rama në sondazhin e dytë për Tiranën

Nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin të dielën Partia Socialiste do të kryesonte me diferencë të ngushtë qarkun e Tiranës, pasi diferenca me Partinë Demokratike është përgjysmuar.

Sondazhi i dytë i kompanisë MRB për Euronews Albania tregoi se në qarkun kryesor të vendit diferenca mes partive kryesore është ngushtuar nga 10.3% në 5%.

Të pyetur se për cilën parti do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën, qytetarët nga qarku i Tiranës u përgjigjën:

PS – 41.5%

PD – 36.5%

LSI – 5.9%

Të tjera – 3.7%

Të papërcaktuar – 12.4%

Nga rezultati tërheq vëmendjen rritja e PD-së me 4.8 pikë përqindjeje. Në sondazhin e parë PS kishte 42% ndërsa PD 31.7%.

Me këtë rezultat të qarkut të Tiranës, duke analizuar prirjen e votës së të pavendosurve në zgjedhjet e shkuara, MRB ka parashikuar si projeksion, që PS të kryesojë me 5.7% ndaj PD-së, ndërsa LSI të shkojë në kuotën e 6.7%.

Për sa i përket mandateve duket se gara do të ketë një përfundim në ekuilibër mes mazhorancës dhe opozitës aktuale:

PS – 18 mandate

PD – 16 mandate

LSI – 2 mandate

Basha më popullor se Rama në sondazhin e dytë për Tiranën

Sondazhi i dytë i kompanisë MRB për qarkun e Tiranës tregoi se popullariteti i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama ka rënë krahasuar me sondazhin e parë, teksa tashmë për këtë qark opinion më pozitiv qytetarët ndajnë për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Në sondazhin e kryer për Euronews Albania qytetarët e qarkut të Tiranës vlerësuan me opinion pozitiv:

Lulzim Bashën 44.8%

Edi Ramën 44.4%

Monika Kryemadhin 20.8%

Krahasuar me sondazhin e parë të kryer për kryeqytetin – në periudhën 25 janar-12 shkurt – rezulton që Rama të ketë humbur muajin e fundit 3 pikë përqindje – nga 47.4% – ndërsa Basha të ketë fituar 5.2 pikë përqindje – nga 39.6%.

Vlen të thuhet se për Bashën ky vlerësim është më i lartë se ai i nivelit kombëtar – që është 44% – ndërsa për Ramën është më i ulët – niveli kombëtar 47%.

Rritje të lehtë të popullaritetit ka gëzuar edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi nga 19.4% në 20.8%.

Prirja rritëse e popullaritetit të Bashës u pa edhe në rezultatet e opinionit të qytetarëve se “cili nga kandidatët është më i përshtatshëm për kryeministër”. Diferenca prej 10% mes Ramës dhe Bashës në këtë tregues është ulur ndjeshëm duke shkuar në 2.8%.

Metodologjia

Sondazhi i dytë në nivel qarku për Tiranën dhe Durrësin u bë për Euronews Albania nga kompania prestigjioze MRB, e cila zhvilloi 715 intervista ballë për ballë në Tiranë dhe 425 në Durrës me persona me të drejtë vote (mbi 18 vjeç) nga 27 shkurti deri më 31 mars.