Bashkimi i të gjitha partive opozitare do t’i kthente zgjedhjet e prillit në një garë kokë më kokë mes pozitës dhe opozitës, zbuloi një sondazh i Euronews Albania, i kryer në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB.

Opozita e Bashkuar do të merrte 42.7 për qind të elektoratit, ndërsa Partia Socialiste do të merrte 44% të votave.

Të pavendosurit janë në masën 7.4 për qind, ndërsa ata që nuk do të votojnë përllogariten në masën 4.6 për qind.

Megjithatë, sondazhi zbuloi se prirja e votës shkon drejt PS (41.8 për qind), pasuar nga PD me 28.2 për qind të votave, një hendek ky prej 13.6 për qind të elektoratit.

LSI vazhdon të jetë sipas projektimit forcë e tretë me 10.3 për qind të votave, pasuar nga PDIU me 1.5%.

Metodologjia

3 muaj përpara zgjedhjeve, 1600 shqiptarë janë përgjigjur ballë për ballë në një intervistim në shtëpitë e tyre dhe 2000 të tjerë në mënyrë telefonik, se cilat janë shqetësimet e tyre, si e vlerësojnë ata ekonominë, punën e qeverisë apo të opozitës dhe sa vota do të marrin partitë politike, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë javë. Janë 5 sondazhe në total që do të zhvillohen periodikisht deri në ditën e zgjedhjeve.

Studimi u shtri në 12 zona elektorale, periudha e intervistave ishte 22 dhjetor 2020 -13 janar 2021 ku metodologjia e kampionimit ishte shtresëzim me shumë faza/kampione të rastësishëm. Persona me të drejtë vote, të ndarë në mënyrë të barabartë sipas gjinisë u janë përgjigjur 43 pyetjeve.

Qëllimi i sondazhit është hulumtimi i mendimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve shqiptarë për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Rezultatet e para u prezantuan në emisionin Barometri Politik nën moderimin e gazetares Ilva Tare, ku qenë të pranishëm një panel prej 6 analistësh, si dhe drejtori i kompanisë MRB, z. Dimitri Mavros.