Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndonëse sot do të duhej të zhvillonte seancën gjyqësore, për të dhënë pretencën për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjyqi është shtyrë. Shkak i shtyrjes është bërë mungesa e avokatëve të Mediut, Henrik Ligori që pretendonte se ishte sëmurë dhe Ardian Visha, që ishte në proces në Durrës. Seanca e radhës u caktua më datë 7 qershor, në orëm 14:00. Ndërkohë, Gjykata caktoi një avokat për këtë çështje, Artan Simoni.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e akuzon Mediun për “shpërdorim detyre” dhe “për shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadër komandues ushtarak” lidhur me dosjen e shpërthimit në Gërdec. Dy prokurorët që do të jepnin pretencën janë Altin Dumani dhe Arben Kraja, njëri kreu i SPAK, tjetri paraardhësi i tij.

Kujtojmë se Mediu ka kërkuar gjykim të shkurtuar, por SPAK ende nuk e ka shpallur pretencën për të akuzuarin.
Nga ana tjetër avokatët e ish-ministrit Fatmir Mediu kanë kërkuar që çështja të pushohet për efekt parashikimi, kjo pasi sipas tyre klienti i tyre nuk ka asnjë faj për mosveprimin shtetëror ndër vite.