Pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës, sot Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar në orën 10:00 në Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’.

Kryetari i rizgjedhur Lulzim Basha përveç prekjes së statutit të PD-së, në vijimësi pritet t’i hapë rrugë ndryshimit të kupolës drejtuese, përfshirë Kreun e Grupit Parlamentar, që sipas statutit, zgjidhet në mesin e nënkryetarëve të partisë.

Në çelje të Kuvendit fillimisht do të mbajnë fjalime disa nga të rinjtë, të cilëve Basha premton se do të kenë vëmendjen dhe hapësirat e nevojshme.

Pas disa fjalimeve do të mbajë fjalën e tij për gati 1 orë kreu i PD, Lulzim Basha. Pas fjalës së Bashës, do të prezantohen ndryshimet statutore dhe fillimisht do të jetë Komisioni i Ndryshimeve Statutore që do sqarojë ndryshimet e bëra ndërsa në vijim do të votohet me ngritje kartoni për këto ndryshime nga delegatët.

Po ashtu do të votohet Këshilli i ri Kombëtar dhe teksa do të mbahen fjalime të hapura, njëkohësisht edhe do të votohet. Kuvendi i sotëm, nuk do të thërrasë 7646 delegatët që ky organ i PD kishte përpara ndarjes së demokratëve.

Listat, sikurse ndodhi me Këshillin Kombëtar do të pastrohen nga berishistët dhe me rifreskimet e bëra në Kuvend do të marrin pjesë rreth 5000 delegatë nga rreth 7000 që kanë qenë.

Kuvendi i fundit që PD zyrtare mbajti ishte ai i 18 Dhjetorit, në kulmin e luftës me grupimin e Sali Berishës. Basha mblodhi 5004 delegatë dhe vendosi që non gratat e SHBA të qëndrojnë larg drejtimit të partisë.