Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme masa sigurimi personal për 34 qytetarë mes tyre 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës për disa akuza të ndryshme: korrupsion, shpërdorim detyre, kontrabandë e deri tek ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sipas një njoftimi të SPAK thuhet se për 17 policë është vendosur arrest me burg, për 12 policë dhe 2 qytetarë është vendosur arrest shtëpie ndërsa 3 punonjës policie janë pezulluar nga detyra. Mes policëve që është vendosur masë sigurie është edhe drejtori i Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

“Duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”,  parashikuar nga neni 248, 259, 25  dhe 245/1 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

SPAK thotë se pas hetimeve, në bashkëpunim edhe me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë kryer hetime proaktive, duke përdorur metoda speciale të hetimit. Gjatë hetimeve janë dokumentuar veprimet e kundraligjshme ku këta punonjës detyronin shtetas shqiptarë dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.

Hetimet janë kryer në koordinim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kanë qenë fillimisht mediat kosovare që kanë njoftuar operacionin që ka nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale, kanë filluar operacionin e gjerë e koduar me emrin “Pika 2” ndaj zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit. Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri)”, thuhej në një komunikatë të IPK-së.

Mediat kosovare njoftuan se ky operacion i ka paraprirë një hetimi rreth njëvjeçar nën dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të policëve. Ndërkohë në operacionin e mëparshëm me emrin e koduar “Pika” në Kosovë, u arrestuan 50 policë në pikat kufitare Qafë Prushë dhe Qafë Morinë, ndërkaq 18 zyrtarë policorë ndodhen në arrati.