Denis Xholi dhe Abjon Çeku dy të rinjtë që u arrestuan disa ditë para zgjedhjeve parlamentarë të 25 Prillit në dibër janë marrë zyrtarisht të pandehur. Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe u ka komunikuar dy të dyshuarve akuzën. Dy të rinjtë janë hetuar nga SPAK nën masën e sigurimit personal arrest në burg.

Organi i akuzës njofton zyrtarisht së pas analizimit të të dhënave dhe provave kanë rezultuar se Xholi dhe Ceku në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shpërndarë në Njësinë Administrative Maqellarë shuma monetare tek persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrës së votimit të zgjedhësve, në zgjedhjet parlamentare të zhvilluara në datën 25 Prillit.

Në bazë të hetimit ka rezultuar se Denis Xholi, i cili ka ushtruar funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, gjatë orarit të punës është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore. Ata akuzohen për veprat penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Fjalën e fundit për këtë dosje do ta thotë gjykata.

Denis Xholi dhe Abjon Çeku u ndaluan duke lëvizur me makinë në zonën e Maqellarës nga simpatizantë të opozitës më 2 Prill, të cilët më pas lajmëruan policinë. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin të dy u gjet një sasi prej rreth 5 milion Lekë, fletë të ngjashme me ato të votimit dhe fletë palosje të një subjekti politik.