Policia ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e koduar “Ndërmjetësi”, ku pas një hetimi nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, janë vënë në pranga 3 persona, ndërsa është dhënë masa detyrim paraqitje për 3 punonjës të Kadastrës së Tiranës, pasi akuzohen se mbivendosën pronat.

“Në kuadër të operacionit u bë ekzekutimi i urdhrave të lëshuar nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, e cila ka caktuar masë sigurimi personal “Arrest në burg” ndaj shtetasve:

Gazmend Canaj, 49 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Admir Burri., 44 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Neritan Bablusha,52 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;

Po në kuadër të operacionit u bë ekzekutimi i masës se sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personave nën hetim:

B.H, 59 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;

G.B, 58 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” .

Gjithashtu, u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Pezullimi i ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik” ndaj personit nën hetim:

Panol At-Nikolla, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre punonjës i Drejtorisë Vendore të ASHK Tirane Rurale 2, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” .

Si dhe u bë shpallja në kërkim policor i shtetasit me iniciale “I.A”, për të cilin Gjykata ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” .

Materialet proçeduriale i‘u kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të shtetaseve të sipërcituar, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.