Hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit nxorrën në pah bashkëpunimin mes pronarit të “Ora News”, Ylli Ndroqi dhe biznesmenit turk të akuzuar për terrorizëm dhe trafik ndërkombëtar të drogës, Abdulselam Turgut.

Në njoftimin e së hënës, SPAK shkruan:

“Në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit 7 shtetas mes tyre turku Abdulselam Turgut Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu.”

Biznesmeni Turgut, i akuzuar për terrorizëm dhe trafik ndërkombëtar droge, u arrestua në vitin 2011 në aeroportin e Rinasit me kërkesë të autoriteteve gjermane. Në atë kohë akuzohej për trafikimin e 1 ton kokainë.

Gjykata e Tiranës vendosi të masën e sigurisë “arrest me burg” për Turgut deri në ekstradimin e tij. Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Apelit nga avokati i biznesmenit turk, ku trupa gjykuese e kryesuar nga Gjin Gjoni vendosi të ndryshojë masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Apeli e detyroi biznesmenin Turgut  të qëndrojë në një banesë të marrë me qira nga ai në një pallat tek Kthesa e Kamzës. Ky vendim i Apelit u konfirmua dhe nga Gjykata e Lartë.

Pak ditë më pas gjykata urdhëroi thirrjen e Abdulselam Turgutit në Prokurorinë e Tiranës për të vazhduar me procedurat e ekstradimit për në Gjermani, por ai nuk është gjetur më në adresën që kishte gjykata.

Rezultoi më pas se Turgut ishte arratisur nga Shqipëria me një identitet tjetër.