E krijuar së fundmi, Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë një njësi e specializuar e policisë gjyqësore që heton veprat penale nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e veçanërisht do të hetojnë e ndjekë penalisht zyrtarë, qeveritarë dhe të tjerë që dyshohen që janë të përfshirë në krimin e organizuar dhe korrupsion.

Por edhe pse një njësi e ideuar që më shumë se forcën, të përdorë “trurin” për të hetuar zyrtarët e korruptuar dhe krimin e organizuar, më të mirët në testin logjik kanë mbetur jashtë.

Nga një analizë e rezultateve të testimit, del se shumë prej atyre që kanë fituar testin logjik, nuk kanë mundur që të kalojnë testin fizik.

Në testin logjik u skualifikuan 30 kandidatë me pragun e deklaruar 12 pikë, ndërsa në testin fizik u skualifikuan 300 aplikantë pa u treguar se sa është pragu që duhet të arrinin.

Sikurse mund të shihni dhe lista botuar sot nga gazeta DITA ata që kanë dalë më të mirët në testin logjik, rezultojnë se janë skualifikuar në testin fizik. Ata që kanë kaluar edhe testin fizik (emrat me bold), rezultojnë se kanë dalë më dobët në testin logjik.

Me sa duket, në njësinë më të re të specializuar për të luftuar veprat kriminale më të vështira për t’u zbardhur për shkak të kompleksitetit, do të kemi më shumë punonjës me “muskuj”, se sa nga ata me nivel inteligjence të lartë.

I pyetur nëse ankesat e shumta të pjesëmarrësve qëndrojnë, apo në to ka teprime, një zyrtar i Ministrisë së Brendshme, në kushte anonimati i tha Ditës se:

“Nuk kam shumë informacion për numrin e ankesave, por një gjë e di me siguri: Që janë synuar të merren mosha të reja. Nuk i kanë vënë rëndësinë e duhur nivelit, i cili për ata që njoh është i dobët. Pjesa më e madhe janë pa backgraund policor dhe nuk janë marrë më parë me hetimin. Nga policia kane konkurruar ata që e kanë parë si arsye qe të vijnë nga rrethet në Tiranë. Por edhe rroga deri diku është më e lartë. Shpresoj që fakti që kanë përdorur testin fizik për të skualifikuar pjesën më të madhe, të mos jetë tregues që në thelb nuk ju intereson niveli profesional. Pastaj edhe këtu, nuk i është shpëtuar dot fenomenit të “mikut”.

DITA pyeti një zyrtar të lartë të institucioneve të reja të Drejtësisë dhe njohës të mirë të Reformës mbi rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces, duke qenë se pritshmëritë e publikut shqiptar janë tek ata dhe perceptimi gjithashtu është që ndërkombëtarët janë garant për të mos ndodhur fenomenet e mëparshme dëmtuese në institucionet e reja.

Pyetja ishte a janë apo jo në duart e ndërkombëtarëve këto procese dhe në përgjithësi sa rol kanë ndërkombëtarët në gjithë fazat e ngritjes s institucioneve të reja n tërësi?

Përgjigja ishte kjo:

“Ata kanë një rol në testim. Ka një dispozitë tek ligji i SPAK, pasi iu bënin një trajnim, i kalojnë në testim dhe pasi kalonin këtë testim merrnin emërimin përfundimtar. SPAK dhe BKH janë dy struktura që janë drejtpërdrejt nën monitorimin e SHBA. BE nuk ka atë rol siç mund të ketë tek vettingu apo tek KLGJ. Unë shpresoj që SHBA e ka nën kontroll procesin e përzgjedhjes së OPGJ në BKH. OPGJ do të jenë ata që do të bëjnë hetimin. Nëse ata nuk të sjellin lëndë të parë, nuk ka shanse për sukses. Se mund ta orientojë prokurori se çfarë hetimi duhet bërë, dhe ai mund të jetë bylmez dhe nuk merr vesh se çfarë duhet të bëj. Kjo që ka ndodhur në këtë garë duhet parë me kujdes. Nuk duhet të jepet në asnjë mënyrë mesazhi që nuk duan njerëz inteligjentë. Për mua ankimimi në Administrative është veprim i duhur”.

DITA i nisi këtë mesazh zonjës Hajnaj, por deri mbrëmë në orarin e mbylljes së këtij artikulli nuk mori përgjigje:

E nderuar zonja Hajnaj. Ju shkruajmë nga gazeta DITA. Në kuadër të një shkrimi mbi garën e fundit në BKH donim mendimin tuaj lidhur me cilësinë e garës dhe kriteret e ndjekura. Konkretisht, pse mgjths një njësi e ideuar që më shumë se forcën, të përdorë “trurin” për të hetuar zyrtarët e korruptuar dhe krimin e organizuar, më të mirët në testin logjik kanë mbetur jashtë?

Një prej aplikantëve ka kërkuar pezullimin e këtij procesi e duke ankimuar atë në Gjykatën Administrative. Kandidati thotë se nuk ka pasur transparencë në përllogaritjen e pikëve në testin fizik, e cila përkon me fazën e tretë të përzgjedhjes së kandidatëve për hetues pranë Byrosë.

“Me anë të kësaj kërkesë-padie, kërkoj pezullimin e procedurave të konkurrimit nga Byroja Kombëtare e Hetimit, pasi në mënyrë jo transparente, me anë të një veprimi administrativ, ka bërë përjashtimin e 300 kandidatëve për hetues në fazën në fazën e tretë të testimit (testimi fizik), pa përcaktuar metodologjinë e vlerësimit, ku dëmtohen interesat e mia personale, interesi publik dhe procesi i rregullt ligjor në një procedurë konkurrimi, që ka për qëllim rritjen e besimit të publikut pranë organeve të drejtësisë, e konkretisht”, shkruhet në këtë padi.

Kandidati pretendon se nuk ishte publikuar asnjë sistem pikëzimi në këtë fazë dhe as mënyra e mbledhjes së pikëve, ndryshe nga testi fizik.

Gara ka katër faza. Në fazën e parë parashikohej që mbi 400 kandidatë të merrnin minimalisht 12 pikë, teksa në fazën e dytë të testit fizik duhet të arrihej koha e mbi dy kilometrave vrap për 10 minuta e sipër, si dhe provat e tjera fizike me ushtrime të ndryshme.

Kurse dje ishte dita e garës së testit logjik, për 103 kandidatët fitues nga faza e dytë, ku në fund do të mbeten vetëm 60 fitues, pasi ta kalojnë edhe makinën e të vërtetës.

Handikapi që ka dalë në pah aktualisht është fakti se shumë prej kandidatëve që morën deri në 30 pikë në testimin me shkrim, nuk kanë kaluar në testin fizik dhe e quajnë të padrejtë këtë mënyrë garimi, duke kërkuar që vlerësimi të bëhej mbi bazën totale të të gjithë testeve.

Ambasada Amerikane ka njoftuar se fituesit do të dërgohen në SHBA për një trajnim një mujor me agjentët e FBI-së.

BKH do të ketë kompetenca të zgjeruara, ndryshe nga Policia Gjyqësore e mëparshme, pasi do të hyjë në zyra dhe institucione për mbledhje provash, hetime, konfiskime dhe investigimin e korrupsionit të zyrtarëve, politikanëve, njerëzve të drejtësisë dhe krimit të organizuar./DITA