Zhvillime të papritura te Lacio në prag të sfidës me Zenitin në Ligën e Kampionëve, ku i përfshirëë është edhe portieri kuqezi, Tomas Strakosha. Ai, bashkë me Çiro Imobilen dhe Lukas Leivën, nuk janë përfshirë në listën e Lacios për t’u nisur drejt Shën Pjetërburgut. Të tre u stërvitën me skuadrën gjatë paradites, edhe pse nuk ishin pjesë e formacionit të provuar nga trajneri Inzagi në fund. Shkak për këtë ndalesë të tyre janë bërë disa pika të rregullores së UEFA-s sa u takon tamponëve për ndeshjet e Ligës së Kampionëve.

Strakosha dhe dy lojtarët e tjerë të Lacios janë kthyer në shtëpitë e tyre. Këta lojtarë kryen dje tamponin e fundit që kërkon UEFA, 48 orë para ndeshjes në Rusi. Kur u panë në fushën e stërvitjes në mëngjes, u largua ankthi për përgjigjet e kontrolleve, por më pas situata ndryshoi. Një javë më parë, Imobile, Luis Alberto, Laxari, Djavan Anderson dhe Pereira u ndalën para seancës së fundit stërvitore në Formelo, pak orë para nisjes për në Belgjikë, pasi kishin dalë përgjigjet e tamponëve të UEFA-s.

Tomas Strakosha

Këtë herë Imobile zbriti në fushë me shokët e skuadrës dhe pas stërvitjes pati një bisedë me drejtorin sportive Igli Tare, i cili e informoi për situatën. Nga Lacio nuk ka pasur asnjë qëndrim zyrtar. Imobile dhe Leiva luajtën në pjesën e dytë të ndeshjes me Torinon në kampionat, kurse Strakosha qëndroi në stol. Që të tre kishin “ok”-in të luanin në kampionat pas tamponit që kishin bërë.

Strakosha dhe Leiva një javë më parë nuk e kryen tamponin e UEFA-s, sepse ishin në gjendje gripale dhe nuk bënin pjesë në grupin e lojtarëve që do luanin ndaj Bryzhit. Tani ndalen edhe ata, mes pritjes së përgjigjes së tamponëve dhe masave për një izolim të mundshëm. Ndërkohë, Prokuroria Federale e Federatës Italiane të Futbollit do të hapë një hetim, nëse kemi të bëjmë me një mosrespektim të protokollit nga ana e Lacios. Nëse Strakosha rezulton pozitiv, mund të jetë një hall më shumë për trajnerin Reja për ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë.